Të paktën 4 palestinezë u vranë sot ndërsa avionët luftarakë izraelitë goditën një shtëpi pranë një strehimoreje në veri të Rripit të Gazës, njoftoi Ministria e Brendshme në enklavën e bllokuar.
Mediat lokale raportuan se sulmi izraelit kishte në shënjestër një shtëpi në lindje të kampit të refugjatëve Jabalia, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga Hamasi.
Të paktën 11.320 palestinezë janë vrarë, përfshirë rreth 7.800 gra dhe fëmijë ndërsa mbi 29.200 të tjerë janë plagosur, sipas shifrave të fundit nga autoritetet palestineze.
Mijëra ndërtesa, përfshirë spitale, xhami dhe kisha janë dëmtuar ose janë shkatërruar plotësisht në ofensivën izraelite.
Numri zyrtar i izraelitëve të vrarë është 1.200.