Trupat e Patrullës Ajrore të NATO-s janë vënë në gatishmëri të lartë pasi një avion luftarak rus iu afrua një avioni të Gardës Kufitare polake mbi Detin e Zi, njoftoi sot agjencia polake e lajmeve PAP, njofton AA, transmeton Fol Drejt.
“Ekuipazhi polak thuhet se humbi kontrollin e avionit për një moment, por u ul i sigurt”, tha zëdhënësja e Gardës Kufitare Polake, Anna Michalska.
Ajo tha se avioni u ul i sigurt në aeroportin “Mihail Kogalniceanu” dhe asnjë nga anëtarët e ekuipazhit në bord nuk u lëndua si rezultat i incidentit.
Avioni Turbolet L-410 i Gardës Kufitare u interceptua, duke cituar një deklaratë nga Shtabi i NATO-s. PAP raportoi se avionit në tre raste iu afrua të premten një avion luftarak rus, i cili “kryente manovra agresive dhe të rrezikshme”.
Avioni, në bashkëpunim me shërbimet rumune, po kryente misione rutinë patrullimi nën kujdesin e Frontex-it mbi Detin e Zi në hapësirën ajrore ndërkombëtare. Incidenti ndodhi rreth orës 13:20 sipas kohës lokale, 60 kilometra në lindje të hapësirës ajrore rumune.
Trupat e Patrullimit Ajror të NATO-s janë vënë në gjendje të lartë gatishmërie dhe “mbeten vigjilente”.
Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Rumanisë raportoi se “manovrat agresive dhe të rrezikshme” të kryera në vazhdimësi nga avioni luftarak i Federatës Ruse në afërsi të avionit polak shkaktuan turbulenca të larta dhe vështirësi në kontrollin e avionit.
Dy avionë luftarakë të Forcave Ajrore Rumune dhe dy të Forcave Ajrore Spanjolle, që operojnë nën Shërbimin Luftarak të Patrullës Ajrore, u alarmuan nga Qendra e Kombinuar e Operacioneve Ajrore të NATO-s në Torrejon. Ata ishin të gatshëm të ndërhynin në çdo moment, por rezultoi se nuk kishte nevojë.
Polonia, Spanja dhe Suedia po marrin pjesë në operacionet për parandalimin e migrimit të paligjshëm, peshkimin ilegal, ndotjen detare dhe lloje të tjera të krimit ndërkufitar në rajonin e Detit të Zi. Operacioni MMO në perëndim të Detit të Zi Perëndimor kryhet çdo vit që nga viti 2019./FolDrejt/