Mbrojtësi i të drejtave të njeriut nga Bjellorusia, Ales Bialatski, si dhe dy organizata të të drejtave të njeriut nga Rusia dhe Ukraina kanë fituar Çmimin Nobel të Paqes.
Komiteti Norvegjez i Nobelit shpërbleu laureatët, respektivisht organizatën ruse të të drejtave të njeriut ‘Memorial’, organizatën ruse të të drejtave të njeriut ‘Qendra për Liritë Civile’ dhe Bialatskin, për “përpjekjet e tyre të jashtëzakonshme për të dokumentuar krimet e luftës, abuzimet e të drejtave të njeriut dhe abuzimin e pushtetit”, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Laureatët e Çmimit të Paqes përfaqësojnë shoqërinë civile në vendet e tyre të origjinës. Ata për shumë vite kanë promovuar të drejtën për të kritikuar pushtetin dhe për të mbrojtur të drejtat themelore të qytetarëve”, tha komiteti.
Çmimi Nobel i Paqes i vitit të kaluar iu nda gazetarëve Maria Ressa dhe Dmitry Muratov për “luftën e tyre të guximshme për lirinë e shprehjes” në Filipine dhe Rusi.
Vitin e mëparshëm iu nda Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së për “përpjekjet në luftën ndaj urisë”.
Fituesit e mëparshëm të këtij çmimi përfshinë edhe ish-presidentët e SHBA-s, Jimmy Carter në vitin 2002 dhe Barack Obama në vitin 2009, si dhe aktivisten pakistaneze Malala Yousafai në vitin 2014, Bashkimin Evropian (BE) në vitin 2012, si dhe në vitin 2001 OKB-në dhe shefin e atëhershëm Kofi Annan./FolDrejt/