Gjykata ka refuzuar vendosjen e masës së paraburgimit ndaj Musli Rexhepit për të cilin dyshohet se tentoi ta sulmonte kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj në shkollën “Ismail Qemaili” në Prishtinë.
Në një prononcim për klankosova.tv, avokati Tomë Gashi ka thënë se është mëkat që një 81 vjeçar u ndalua për 48 orë me urdhër të prokurorit.
“Vetëm sa është dhënë vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe gjykata nuk e ka aprovuar kërkesën e prokurorit Blerim Igrishta për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Musli Rexhepit”.
“Unë besoj se është një mëkat i pafalshëm që ky të mbahet për më tepër se 48 orë me vendim të prokurorit në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë dhe një personi si zotit Rexhepi t’i vendoset një masë kaq e rëndë në moshën 81 vjeçare”.
“Gjykata ka vendosur një masë sigurie ku ka urdhëruar Rexhepin që mos t’i afrohet për një periudhë prej një muaji Jasharajt me një distancë prej 500 metrave në ambient të hapur dhe 50 metra në ambient të mbyllur”.
Sipas avokatit Gashi, edhe vet Rrahmanaj në deklaratat që ka dhënë në Polici ka thënë se nuk është sulmuar dhe as kërcënuar nga Rexhepi.