Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka thënë se me gjithë numrin e dëshmitarëve dhe provave, gjyqi ndaj tij dhe të tjerëve mund të zgjasë së paku 10 vjet.
“Në rastin tonë, prokuroria kërkon 1300 orë vetëm për pyetjet e bëra prej palës thirrëse. Tek dëshmitarët e prokurorisë do të zgjaste rreth 120 muaj, që do të zgjaste 11 vjet. Përveç dëshmitarëve që kanë ata në listë, prokuroria ka propozuar edhe 16,000 prova materiale. Numri i përgjithshëm i dëshmitarëve është 345. Prokuroria duhet të jetë në gjendje të shtrëngojë rripin dhe të provojë çështjen e saj. Po u lejua me këto shifra që ka kërkuar prokuroria, do të vazhdojë të paktën 10 vite. Kjo gjë s’mund të jetë në interesat e drejtësisë. Minon të drejtën ndërkombëtare penale. Mohon drejtësinë për të akuzuarit, për viktimat dhe dëshmitarët. Është një fatkeqësi e madhe, e bën gjykatën qesharake. Dikush duhet t’i thotë prokurorisë si ta menaxhojë dhe ta ulë kohën në një nivel menaxhues. Është një punë që gjykatësit e bëjnë gjatë gjithë kohës, ndryshe gjyqi nuk është i mundshëm. Nëse bëni diçka të tillë do të jetë tribunali i fundit ndërkombëtar”.
Ai bëri krahasime edhe me gjyqet e tjera, duke përmendur atë Sllobodan Millosheviqit, për të cilin tha se e tërë çështja zgjati vetëm dy vjet, njofton Klan Kosova.
Por, prokurorja Claire Lawson tha se nuk bëhet fjalë për vite të tëra siç u paraqit nga mbrojtja e Veselit.
Derisa Emmerson për dëshmitarët tha se janë përzgjedhur shkel e shko dhe se asnjëri prej tyre s’do të bëjë akuza të drejtpërdrejta meqë, sipas tij, do të flasin për krime konkrete, që s’kanë lidhje me të akuzuarit.
“Krimet që ishin kryer nuk kishin kontroll nga askush. Thjesht ka qenë produkt i një situate kur ligji mungonte dhe armët ishin sheshit. Pra, duke pasur parasysh krimet e kryera nga serbët dhe kur popullsia shqiptare është spastruar nga Kosova. Ky ka qenë konteksti mbi të cilin mbështeten këto akuza. E dimë çka përpiqen të arrijnë këto akuza”.
Emmerson tha se prokuroria nuk duhet të mos marrë parasysh kohëzgjatjen e gjyqit.
“Ne shikojmë dënimet që janë dhënë për serbët që vetë kishin urdhëruar vrasjet e mijëra shqiptarëve të Kosovës dhe përzënien e popullsisë së mbetur nga Kosova, shkatërrimin e shtëpive, bagëtive. Kemi parë heqjen e targave të makinave të tyre, marrjen e dokumenteve. Këto janë gjithë krime të kryera kundër njerëzimit. Dënimet e tyre ndryshonin nga 10 vjet deri në 15 vjet, pak a shumë. Në thelb nëse nuk ndërhyni dhe veproni i keni dhënë shumë dorë të lirë prokurorisë. Prandaj, jemi këtu ku jemi. Se keni ndihmuar prokurorinë ta menaxhojë kohën dhe të mos e lejojë të bëjë atë që bëjnë, duke e shkelur ligjin dhe rregullat. Ju s’mund ta dërgoni si duhet çështjen në trupin gjykues që mendohet të zgjasë 10 vjet. Pra, duhet të vendosim se cila është procedura e duhur për zgjidhjen e kësaj çështje”.
Avokati i Veselit tha se prokuroria ka gënjyer gjykatën për çështjen e kohës derisa kësaj të fundit i kërkoi që është pjesë e funksioneve të saj që të vendosë një limit në lidhje me kohën, dëshmitarët.
Ndaj këtyre akuzave u përgjigj prokurori, duke thënë se janë të pavërteta.
“E kam konstatuar se ndonjëherë jemi në situata kur ekipet e mbrojtjes sa vijnë e bëhen më të pavërteta dhe pastaj na ikën koha dhe na kërkohet të përgjigjemi me shpejtësi. Duhet të na jepet kohë e mjaftueshme për t’u përgjigjur”.