Një foshnjë e lindur nën rrënojat e një ndërtese në Siri, e cila i mbijetoi një tërmeti të fuqishëm, u adoptua nga tezja dhe xhaxhai i saj, shkruan Klix, përcjell Fol Drejt.
Foshnja u quajt Aya dhe ajo është e vetmja pjesëtare e familjes që i mbijetoi tërmetit të fuqishëm. Mijëra njerëz u ofruan të birësonin të porsalinduren, e cila ishte ende e lidhur me nënën e saj nga kordoni i kërthizës kur u shpëtua.
Ajo u lirua nga spitali pasi një test i ADN-së konfirmoi se tezja e saj ishte një e afërme gjaku. Mjekët thanë se foshnja është në gjendje të mirë shëndetësore.
“Ajo tani është një nga fëmijët e mi,” tha xhaxhai i saj Khalil al-Sawadi. “Nuk do të bëj dallim mes saj dhe fëmijëve të mi”.
Foshnja tani ka marrë emrin e nënës së saj të ndjerë Afrai. Menjëherë pasi ajo u shpëtua, zyrtarët e quajtën Aya, që do të thotë mrekulli në arabisht.
Një video e shpëtimit të saj menjëherë pas tërmetit u bë virale në rrjetet sociale. Pamjet dramatike treguan një burrë që vraponte nga rrënojat teksa e mbante të mbuluar me pluhur në krahë. Thuhet se ajo ishte nën ndërtesën e shembur për më shumë se 10 orë, dhe mjekët thanë se ajo mbërriti në spital në gjendje të keqe, me mavijosje dhe prerje në të gjithë trupin. /FolDrejt/