Përpjekjet e Kosovës në rrugën e saj euro-atlantike, nuk kanë rreshtur as përgjatë vitit 2022, shkruan Fol Drejt.
Më 15 dhjetor Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, dorëzoi në Presidencën Çeke aplikacionin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian (BE).
“Kemi ardhur në Pragë, qytetin në zëmër të Evropës për të riafirmuar zotimin e pandryshueshëm të Kosovës ndaj vlerave të Bashkimit Evropian, duke dorëzuar aplikacionin e Kosovës për anëtarësim në BE”, është shprehur kryeministri gjatë dorëzimit.
Në fakt, aplikacioni ka mbetur për t’u shqyrtuar por ende nuk dihet nëse BE do t’ia jap “sihariqin” e shumëpritur Kosovës, për anëtarësim.
Në dilemë mbetet edhe çështja e liberalizimit të vizave. Kosova mbetet i vetmi vend në rajon i cili nuk e gëzon të drejtën për lëvizje të lirë brenda BE-së. “Regjimi i vizave” është pritur të ndryshojë gjatë vitit që e lamë pas, por nuk pati rezultate konkrete.
Në nëntorin e 2022-tës, përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së u pajtuan me propozimin që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024.
Kjo datë ishte kërkesë e Spanjës – njërit prej pesë vendeve të BE-së që nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës.
Paraprakisht, Republika Çeke – e cila aktualisht udhëheq presidencën gjashtëmujore të BE-së – kërkoi që liberalizimi i vizave për Kosovën të fuqizohet më 1 dhjetor të vitit 2023.
Këto lajme i ka mirëpritur Qeveria e Kosovës, e cila theksoi se deri te ky vendim kanë ardhur si rrjedhojë e punës së mirë dhe vullnetit të ekzekutivit për ta luftuar krimin dhe korrupsionin.
“Kriteret teknike vërtetë ishin plotësuar tash e një kohë të gjatë, për çka i jemi mirënjohës administratës shtetërore. Por ishin kërkesat për sundim të ligjit, luftim të krimit dhe korrupsionit dhe respektim të institucioneve të pavarura që nuk përmbusheshin dot. Pengesë ishte edhe imazhi jo i mirë i vendit, për shkak të aferave korruptive, kulturës së mosndëshkueshmërisë dhe migrimit masiv e ilegal drejt vendeve të zonës Schengen”, pat shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook me këtë rast.
Gjithsesi vendimi u cilësua si një hap drejt përmbushjes së procesit për liberalizim, i cili ende nuk dihet nëse do ta ketë një epilog përfundimtar pozitiv për Kosovarët.
Pa mëdyshje “baba dimri” i deritashëm i Kosovarëve patë qenë një “baba dreq”, i cili nuk ua plotësoi ëndrrat qytetarëve të shtetit më të ri evropian.
Në të vërtetë, për një pjesë të njohësve të këtyre zhvillimeve, besohet se zvarritja kaq e gjatë e procesit dhe kushtet e rënda që i janë vënë Kosovës për liberalizim të vizave, kanë të bëjnë me qëndrimet politike dhe jo me mospërmbushjen e detyrimeve ligjore të Kosovës ndaj BE-së.
Por çfarë pritet të ndodh në vijim? Deri më 2024 nuk pritet të ndërmerret asgjë tjetër në këtë drejtim. Hipotetikisht – përpos nëse Kosova dhe Serbia do ta arrijnë marrëveshjen finale, e cila mund ta përshpejtojë edhe procesin e integrimit në BE./FolDrejt/