Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock i ka bërë thirrje Rusisë që të përmbushë detyrimet e saj në bazë të marrëveshjes për eksportin e sigurtë të grurit ukrainas përmes Detit të Zi, shkruan Ukrinform, përcjell Fol Drejt.
“Miliona njerëz në mbarë botën janë të uritur, ndërsa Rusia po rrezikon edhe një herë sigurinë e anijeve që transportojnë grurë. Kjo duhet të ndalet… Nëse familjet në Liban, Niger ose Bangladesh mund të paguajnë për vaktin e tyre të ardhshëm nuk duhet të varet nga planet ushtarake të presidentit rus”, tha Baerbock.
Kryediplomatja gjermane vuri në dukje se dhjetëra transportues të drithit janë aktualisht në rrugë për të shpërndarë grurë nga Ukraina për në vendet e tjera. “Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të mos rrezikojë sigurinë e këtyre anijeve dhe të përmbushë detyrimet e saj ndaj komunitetit ndërkombëtar”, theksoi ajo. /FolDrejt/