Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Analena Bearbock, tha sot se për shkak të luftës në Ukrainë, e cila synon të ndajë Evropën, është e rëndësishme që Bashkimi Evropian të mbështetet nga vendet që e synojnë anëtarësimin në Union dhe sipas saj, kjo vlen veçanërisht për Serbinë, e cila duhet të mbështesë politikën e jashtme të Brukselit dhe sanksionet kundër Rusisë.
Në një deklaratë për gazetarët pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, Bearbock tha se u diskutua se në këtë moment është veçanërisht e rëndësishme të mbështetet jo vetëm Ukraina, por edhe të gjitha vendet e tjera që shohin të ardhmen e tyre në BE, veçanërisht ato të Ballkanit Perëndimor.
“Është thelbësore që ne të mos zhgënjejmë vendet që shohin të ardhmen e tyre në BE dhe të përmbushin premtimin tonë për anëtarësim. Kjo është veçanërisht e vërtetë për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Është përgjegjësia jonë të hapim negociatat e anëtarësimit me ato vende këtë gjysmë viti”, tha Baerbock.
Bearbock tha se ka pasur një bisedë dypalëshe me kolegun e saj bullgar dhe se janë dakorduar që gjëja më e rëndësishme në këtë situatë është fillimi i procesit të anëtarësimit për Shkupin dhe Tiranën.
Ajo shprehu shpresën se Bullgaria do t’i zgjidhë shpejt të gjitha çështjet e hapura me Maqedoninë e Veriut.
Ajo shtoi se e njëjta gjë vlen edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë treguar qartë këto ditë dhe javë se e shohin të ardhmen e tyre në BE dhe shumica e të cilëve kanë mbështetur sanksionet e BE-së kundër Rusisë.
Ajo i tha Serbisë se nëse dëshiron të bëhet anëtare e Bashkimit, duhet të mbështesë politikën e jashtme të BE-së.
“Dëshiroj t’i them Serbisë se nëse doni të bëheni anëtare, për të cilën gjë po përpiqeni, është thelbësore të mbështesni politikën e jashtme dhe sanksionet e BE-së në këtë kohë”, përfundoi ajo.