Ismet Bahtijari dhe Sabit Januzi, të arrestuar më 5 tetor të këtij viti në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë (DhSK), sot (e hënë), janë paraqitur para trupit gjykues.
Bahtijari dhe Januzi u arrestuan nën dyshimet për krime kundër drejtësisë, përfshirë frikësimin gjatë procedurave penale dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkruan Fol Drejt.
“Sikurse shtjellohet më poshtë, midis më së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, JANUZI dhe BAHTJARI, në bashkëkryerje me individë të tjerë, ndër të cilët [REDAKTUAR] (“bashkëkryesi 1”), u bashkërenduan si grup para dhe pas kontakteve personale të JANUZIT dhe BAHTJARIT me dëshmitarin 1. Konkretisht, JANUZI dhe BAHTJARI u takuan secili më vete me dëshmitarin 1 për ta nxitur dëshmitarin 1 që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para DHSK-së. Kjo sjellje tregon qartë synimin e JANUZIT dhe BAHTJARIT për të dëmtuar dhe penguar persona zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” – ka përshkruar ZPS.
Ata janë deklaruar si “Jo fajtor!”, përkatësisht “plotësisht të pafajshëm për çdo lloj akuze që është ngritur kundër meje”.
Bahtijari dhe Januzi janë njoftuar për pikat e akuzës, të drejtat e tyre, ndjekjen e procedurës, kundërshtimin e provave dhe përbërjen e gjykatës.
Sipas gjykatësit të procedurës paraprake, Nicholas Guillou, brenda 30 ditësh ata kanë të drejtë të deklarohen lidhur me fajësinë apo mos fajësinë, si dhe kanë të drejtë gjithashtu që të kundërshtojnë masën e paraburgimit, ku edhe janë duke u mbajtur./FolDrejt/