Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri do të jetë këshilltari ligjor i presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj.
Ky ka qenë një nga emërimet e para që ka bërë kreu i shtetit, i cili po formon skuadrën e tij këshilluese për mandatin e tij 5-vjeçar.
Presidenca ende nuk i ka publikuar përzgjedhjet e Begajt, duke pritur të bëhet ekipi i plotë.
Por ABC News ka mësuar disa prej emrave kyç që do të ndihmojnë kreun e shtetit në ushtrimin e detyrës së tij.
Sekretari i përgjithshëm i Presidencës do të jetë Florjan Kali. Ai e ka mbajtur këtë post më herët në Ministrinë e Mbrojtjes, ku ka bashkëpunuar me presidentin e sotëm, kur Begaj drejtonte ushtrinë shqiptare.
Kabinetin e presidentit do ta drejtojë Eduard Seitaj. Ai ka qenë sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Transporteve në kohën e Edmond Haxhinastos.
Valter Ibrahimi do të jetë Këshilltar Diplomatik, një zyrtar me një karrierë të gjatë që është rekrutuar në Shërbimin e Jashtëm shqiptar në dhjetor 1992.
Fatmir Çela do të jetë një tjetër këshilltar i Presidenti, transmeton abcnews, përcjell FolDrejt.com.
Begaj ka ftuar edhe dy gazetare për të ndërtuar ekipin e tij të komunikimit. E para është Lira Çanga, e cila 10 vitet e fundit ka punuar në OSBE. Tjetra, është Alisa Demollari, e cila ka qenë zëdhënëse e disa ministrave në Shëndetësi e Drejtësi, gjatë qeverisjes Rama-Meta.
Presidenti është duke zhvilluar të tjera rekrutime deri në plotësimin e ekipit të tij.