Banka Botërore do t’i japë kredi prej 100 milionë dollarësh Somalisë, e cila po përballet me thatësirën dhe problemet ekonomike.
Drejtoresha e Bankës Botërore për Somalinë, Kristina Svensson pas takimit me presidentin somalez, Hasan Sheikh Mahmud tha se Banka Botërore ka vendosur t’i japë kredi prej 100 milionë dollarësh Somalisë. Ajo theksoi se huaja e planifikuar do të jepet brenda vitit të ardhshëm dhe do të përdoret për prioritetet e qeverisë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Banka Botërore dha kredi prej 55 milionë dollarësh për Somalinë në vitin 2020. Që nga viti 1990, Somalia ka përjetuar më shumë se 30 fatkeqësi natyrore si përmbytjet dhe thatësirat për shkak të ndryshimeve klimatike.
Qeveria somaleze shpalli “gjendje të jashtëzakonshme” në të gjithë vendin më 23 nëntor 2021, për shkak të thatësirës në rritje.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar për ndihmë urgjente për shkak të krizës humanitare në Somali./FolDrejt/