Banka e Anglisë duket e vendosur për të rritur normat e interesit këtë javë për herën e pestë që nga muaji dhjetor.
Kjo është rritja më e shpejtë e normave në 25 vite dhe ka të ngjarë që të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm, teksa inflacioni pritet të arrijë në 10%, shkruan Reuters, transmeton Fol Drejt.
Në një kohë kur Britania parashikohet të ketë ekonominë më të dobët në vitin 2023 midis vendeve të mëdha dhe të pasura të botës, investitorët dhe shumica e ekonomistëve po parashikojnë një rritje të normës prej çerek pike nga Banka e Anglisë të enjten.
Kjo do të bënte që norma e bankës të shkonte në 1.25%, niveli më i lartë që nga janari i vitit 2009, kur ekonomia e Britanisë u dëmtua nga kriza financiare globale.
Megjithëse pritshmëritë për kostot e huamarrjes kanë qenë historikisht të ulëta në Mbretërinë e Bashkuar, ato janë rritur ndjeshëm kohët e fundit për vitet e ardhshme. Një rritje tjetër erdhi përsëri javën e kaluar pasi Banka Qendrore Europiane vendosi të shqyrtojë mundësinë e rritjes së normave të interesit në dy takimet e saj të ardhshme, duke përfshirë një rritje të mundshme prej gjysmë pikë përqindjeje në shtator.
Investitorët vlerësojnë se Komiteti i Politikave Monetare të Bankës së Anglisë do të dyfishojë normën në 2% deri në shtator, duke e ҫuar atë në 3% deri në mars të vitit të ardhshëm. Edhe disa ekonomistë po rrisin parashikimet e tyre.
Sanjay Raja nga Deutsche Bank tha të premten se ai tani pret që normat të arrijnë kulmin në 2.5%, një ndryshim nga deklarata e mëparshme ku maksimumi pritej të ishte 1.75%, duke filluar me një rritje prej 0.25% këtë javë.
“Megjithatë, ne nuk presim që të ketë një vendim unanim. Shanset janë që Komiteti i Politikave Monetare të jetë më i ndarë, me të paktën tre anëtarë të komitetit që kërkojnë një rritje më të madhe të normës, prej 50 pikë bazë,” tha Raja. “Ekziston gjithashtu mundësia për një votim edhe më të ngatërruar, pasi një ose dy anëtarë mund të kërkojnë që norma bankare të mos ndryshojë.”
Banka e Anglisë ishte banka e parë e madhe qendrore që filloi të kthente mbrapsht stimulin e saj për pandeminë në muajin dhjetor, përpara se Rezerva Federale e SHBA dhe bankat e tjera filluan të merrnin masa për të shmangur kërcimin e inflacionit që erdhi si pasojë e rihapjes së ekonomisë botërore pas pandemisë së koronavirusit dhe pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Por kjo nuk e ndaloi inflacionin në Mbretërinë e Bashkuar që të arrinte në muajin prill nivelin më të lartë në 4 vitet e fundit prej 9%, pothuajse pesë herë më shumë se objektivi i Bankës së Anglisë prej 2%.
Banka e Anglisë mendon se inflacioni do të kalojë shifrën 10% më vonë gjatë vitit 2022, kur tarifat e reja të energjisë do të rriten me 40%. Konsumatorët tashmë kanë reduktuar shpenzimet e tyre, ndërkohë që ka shenja të një rënieje të aktivitetit në tregun e pasurive të paluajtshme.
Guvernatori Andrew Bailey tha në prill se Banka e Anglisë ndodhej përballë një zgjedhjeje shumë të vështirë, ndërmjet trajtimit të rritjes së çmimeve dhe mundësisë së shkaktimit të një recesioni. Por, me pagat që kanë filluar të rriten, prioriteti i Bankës së Anglisë është të luftojë inflacionin.
Një sondazh i Bankës së Anglisë, i publikuar të premten, tregoi se pritshmëritë e publikut për inflacionin në vitin e ardhshëm janë 4.6%, më i larti në të dhënat që datojnë që nga viti 1999.
Që nga takimi i fundit i bankës qendrore në maj, ministri i financave Rishi Sunak ka shpërndarë më shumë para për konsumatorët familjarë për të zbutur efektet e kostove të rritura të jetesës, duke reduktuar rreziqet e një recesioni dhe duke rritur potencialisht presionet inflacioniste.
Miliarda paund priten të jepen përsëri nga Sunak më vonë këtë vit në formën e mbështetjeve të mëtejshme për familjet, ndërsa kryeministri Boris Johnson vazhdon betejën e tij politike pasi 41% e ligjvënësve të Partisë Konservatore votuan për ta rrëzuar të hënën.
Ekziston gjithashtu rreziku i një përshkallëzimi të mosmarrëveshjeve tregtare pas Brexit midis Britanisë dhe Bashkimit Europian, e cila mund të nxisë gjithashtu inflacionin.
Paul Dales, ekonomist në Capital Economics, tha se investitorët po nënvlerësonin mundësinë e një rritjeje prej gjysmë pike të normës nga Banka e Anglisë këtë javë, veçanërisht nëse të dhënat për rritjen ekonomike dhe ato për tregun e punës janë të mira.
“Sido që të jetë, ne mendojmë se Komiteti i Politikave Monetare do të votojë ose 5-4 në favor të një rritjeje prej 50 pikë bazë, ose 5-4 për një rritje prej 25 pikë bazë,” tha ai.
Tregjet të premten po e vlerësonin me 30% mundësinë për një rritje prej 50 pikë bazë nga Banka e Anglisë më 16 qershor./FolDrejt/