Barcelona ka filluar të përgatisë një plan kolektiv për uljen e pagave.
Ky lajm është publikuar më herët këto ditë nga Mundo Deportivo dhe gazetari spanjoll Toni Juanmarti tani pohon se një pjesë e futbollistëve, sidomos ata që sapo kanë ardhur në Barcelonë këtë verë, nuk duan të pajtohen me të, përcjell Fol Drejt.
Dihet që Barcelona ka disa kohë që ka probleme të mëdha financiare dhe problemi më i madh i saj është buxheti i pagave, i cili i kalon kufijtë e përcaktuar nga fer-play-i i La Ligës.
Krahas kësaj, klubi do të fillojë së shpejti rinovimin e Camp Nou, ndaj do t’i luajë ndeshjet e tij në një stadium shumë më të vogël, me një kapacitet “vetëm” 44 mijë ulëse, ndaj pritet një rënie e madhe e të ardhurave nga biletat.
Ata nuk janë të hapur për negociata
Prandaj, drejtuesit e klubit kanë vendosur të përpiqen të shkurtojnë pagat aty ku është e mundur. Një pjesë e lojtarëve u pajtuan për këtë pa asnjë problem, por pjesa tjetër, e përbërë kryesisht nga lojtarë që erdhën në klub verën e kaluar, as që duan të dëgjojnë për këtë ide.
“Nga ata lojtarë vijnë informacione se ata thjesht nuk e shohin kuptimin në uljen e pagave. Ata besojnë se kur kanë nënshkruar kontratën ata tashmë kanë rënë dakord për disa kushte, të vetëdijshëm për situatën e vështirë financiare në të cilën ndodhet klubi,” shkroi gazetari Juanmarti.
Nuk përmenden emra konkretë, por dihet lista e lojtarëve që iu bashkuan klubit në atë periudhë. Ata janë Robert Lewandowski, Raphinha, Franck Kessie, Pablo Torre, Andreas Christensen, Jules Kounde dhe Marcos Alonso./FolDrejt/