Autoritetet në Kenia thonë se një luan i egër mashkull, që besohet të jetë një nga më të moshuarit në botë, ka ngordhur pasi u godit me shtiza nga barinjtë.
Lunkito, një luan 19-vjeçar, ngordhi të mërkurën mbrëma pasi gjuajti bagëti në një fshat në kufi me Parkun Kombëtar Amboseli në Kenia jugore, raportoi BBC.
Një grup për ruajtjen e luanëve tha se ishte ndoshta “luani mashkull më i vjetër në Afrikë”.
Zëdhënësi i Shërbimit të Kafshëve të Egra Kenia (KVS) Paul Ginaro tha se luani ishte i moshuar dhe i dobët dhe kishte shkuar në fshat nga parku në kërkim të ushqimit.
Ai nuk mund të konfirmonte nëse ishte luani më i vjetër në vend, por tha se ishte shumë i vjetër.
Grupi i “Lion Keepers” i drejtuar nga Maasai punon për të ruajtur popullsinë e luanëve në Parkun Kombëtar Amboseli dhe thotë se fundi i një thatësire “zakonisht shënohet nga një rritje në konfliktin njeri-luan”.
Shumica e luanëve jetojnë deri në rreth 13 vjet. Sipas Federatës Botërore të Kafshëve të Egra, pothuajse të gjithë luanët jetojnë në Afrikë, me përjashtim të një popullate të vogël në Indi, transmeton Fol Drejt.