“Më shumë ka gjasa që Pablo Escobar të ketë kryer vetëvrasje sesa të jetë kapur i gjallë”, kështu thotë miku i fëmijërisë së Pablo Escobarit për baronin e drogës me famë botërore.
Edgar Jimenez Mendoza, autor, i cili njihej me pseudonimin “El Chino”, tha për AA, se ai dhe Escobar, i cili ishte kreu i kartelit Medellin në Kolumbi, ishin takuar në shkollë të mesme kur ishin vetëm 13-vjeç.
Pasi mësuan në të njëjtën klasë me Escobarin për tre vjet, Mendoza tha se nuk u takuan kurrë me në 15 vitet që pasuan.
“Pablo ishte një nxënës mesatar, jo një nxënës që tërhiqte vëmendjen. Kishim kaq shumë kujtime të bukura, por më pas humbëm kontaktet”, tha ai.
Duke kujtuar me Escobarin u takua sërish në vitin 1980, kur ai ishte personi i pestë më i pasur në botë sipas revistës “Forbes”, Mendoza tha se takimi i tyre u zhvillua falë një miku të tyre.
Mendoza tha se Escobari u takua me të në Hacienda Napoles, prona e famshme luksoze e mbretit të drogës që shërbente si selia e tij.
“Pablo më përshëndeti me shumë lumturi dhe entuziazëm dhe më pyeti se çfarë po bëja. Kështu që unë i thashë se po bëja fotografi”.
“Ai më punësoi të bëja fotografi të kafshëve në kopshtin zoologjik që kishte në pronën e tij. Më pas, me kalimin e kohës u bëra fotografi i tij personal”, tregon ai.
Ai gjithashtu vuri në dukje se fotot e fundit të Escobarit i bëri me familjen e tij në ditëlindjen e djalit të tij.
“Baroni i vetëm që i ka shpallur luftë shtetit”
Mendoza tha se qeveria kolumbiane, SHBA-ja dhe Departamenti Amerikan Kundër Drogës (DEA) kishin luftuar Escobarin për 10 vjet.
“Gjëja e parë e rëndësishme që e dallonte Pablon nga baronët e tjerë të drogës është se ai ishte njeriu më i fuqishëm në trafikun e drogës dhe e dyta është se ai ishte baroni i vetëm i drogës që i ka shpallur luftë shtetit si një person i paprecedentë në histori”.
“Pablo kishte dy karaktere të kundërta. Njëra anë ishte e mirë dhe ana tjetër ishte e keqe”, shtoi ai.
Mendoza thekson se disa njerëz në lagjen e Escobarit ishin shumë të lidhur me të dhe “ju mund ta shihnit foton e tij kudo, por për viktimat e luftës së drogës, ai nuk ishte aspak më i mirë se djalli”.
Duke shtuar se qindra njerëz të pafajshëm humbën jetën në luftën e shtetit kundër Escobarit dhe organizatave të tjera kriminale, Mendoza tha se “njerëz të rëndësishëm rrëmbeheshin dhe merreshin peng, rrugët ishin të pasigurta ndërsa bombat shpërthenin vazhdimisht”.
Gjatë fushatës së tij politike, Escobari ndërtoi shumë shtëpi për ata që jetonin në kushte të tmerrshme, tha Mendoza duke shtuar se ai ishte atje me Escobarin duke bërë foto të të gjithë procesit.
“Netflix-it i mungojnë detaje”
Mendoza tha se për të treguar historinë e jetës së baronit të drogës janë bërë shumë projekte filmike. Veçanërisht ai nënvizoi serialin e Netflix-it “Narcos”, për të cilin tha se ka shumë gabime lidhur me datat dhe i mungojnë detajet për jetën e Escobarit.
“Unë shoh filma të Holivudit që pasqyrojnë jetën e Pablos si të shkëputur nga realiteti”, tha ai.
Duke vënë në dukje se shumë biznesmenë dhe politikanë donin të bënin biznes me Escobarin, sidomos në vitet 1980 për shkak të pasurisë së tij, Mendoza tha se gjithçka filloi të ndryshojë kur Guillermo Cano, drejtori i gazetës “El Espectador”, zbuloi se Escobari ishte një trafikant droge.
“Pas vdekjes së tij, motra e Pablos (Alba) Marina tha: “Nëse mendoni se me vdekjen e Pablos i keni dhënë fund trafikimit të drogës dhe dhunës në këtë vend, e keni shumë gabim'”, tha Mendoza, duke shtuar se “29 vjet pas vdekjes së Pablos, trafikimi i drogës vazhdon”.
“Koloneli i policisë (Hugo) Aguilar tha se ai e vrau vetë Pablon ndërsa në pretendimin tjetër, DEA tha: “Ne e vramë atë”. Por, familja e tij thotë se Pablo kreu vetëvrasje dhe unë personalisht e besoj më shumë këtë sepse Pablo kishte thënë në disa raste gjatë fjalimeve të tij se ai kurrë nuk do ta lejonte veten të kapej i gjallë”.
Dy vëllezërit e Escobarit, Roberto Escobar dhe Fernando Sánchez Arellano, besojnë se ai qëlloi veten në vesh. Në një deklaratë lidhur me rastin, ata thanë se ai kishte kryer vetëvrasje dhe nuk ishte vrarë.
Në një intervistë në vitin 2016 për gazetën britanike “The Sun”, djali i Escobarit, Sebastian Marroquin tha se ai është “absolutisht i sigurt” se Escobari ia mori jetën vetes për të shpëtuar familjen e tij nga marrja peng nga armiqtë e tij.
“Pas vdekjes së Pablos, disa nga pronat e tij u nacionalizuan nga shteti ndërsa të tjerat iu morën gruas së tij nga Karteli Cali”, shtoi ai.
Jeta e krimit
Baroni i famshëm i drogës, i lindur më 1 dhjetor 1949 në Rionegro të Kolumbisë, emri i vërtetë i të cilit është Pablo Emilio Escobar Gaviria, kishte mbledhur baronët më të fuqishëm të rajonit në vitet 1970 duke vendosur monopol në trafikimin e kokainës.
Megjithëse Escobari arriti të hynte në parlament në vitin 1982 për shkak të projekteve të tij sociale, veçanërisht për të varfrit, ai u detyrua të jepte dorëheqje për shkak të pretendimeve të ministrit të Drejtësisë të asaj kohe.
Escobar vdiq në moshën 44-vjeçare më 2 dhjetor të vitit 1993 në çatinë e një shtëpie në Medellin në një shkëmbim zjarri me Policinë Kombëtare Kolumbiane pasi ishte në arrati për 16 muaj.
Ai konsiderohet përgjegjës për vdekjen e të paktën 4.000 njerëzve./FolDrejt/