Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Dimal Basha mori vëmendjen dje, pas një debati të ashpër në mbledhjen e Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, ku i ftuar ishte kryetari i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jashari, shkruan Fol Drejt.
Përplasja madje vijoi edhe në korridoret e kuvendit, ku deputeti Basha ndër të tjera e akuzoi Jasharin se “se dinjitetin e ke kthyer në para, se i do 100 euro”.
Por gazetari Gëzim Olluri konsideron se bash në këtë pikë, ai nuk ka fare arsye për t’i akuzuar të tjerët se po e lidhin dinjitetin te paratë. Në një reagim në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, Olluri ka shkruar se nëse mësimdhënësit e kanë kthyer dinjitetin në para, atëherë deputeti Basha duhet ta drejtojë gishtin nga vetja:
“Nëse mësimdhënësit e kanë kthy dinjitetin në pare, atëhere Dimal Basha gishtin duhet me drejtue ka vetja.
Këqyri Dimal paret e naftës. 1549 euro rrogë e shumë benefite të tjera, plus bashkë me disa nga kolegët e tu e keni përqafue vendimin e PDK-së. Njihere keni murmuru me vite që ai ligj duhet të zhbëhet se po zhvatet qytetari e kur nuk u zhba, e keni përqafue dhe e keni zhvatë bashkë.
Dinjiteti nuk shitet as për 100 euro e as për pare të karburanteve. Nëse po u vijka në pikëpyetje dinjiteti i dikujt përmes 100 eurove, atëhere sipas standardit tand, ti me shumë kolegë të tjerë, dinjitetin e keni la në pika të karburanteve.”
Olluri në postim ia ka kujtuar Bashës se vetëm në muajin e fundit i ka kompensuar 480 euro për karburant, nga buxheti i kuvendit.
Përndryshe, sipas të dhënave të kuvendit për periudhën janar dhjetor të vitit 2021, deputeti Basha del që i ka kompensuar 1260.00 euro./FolDrejt/