Bashkimi Afrikan dënoi fuqishëm “tentativën për grusht shteti” në Gabon dhe i kërkoi ushtrisë të garantojë integritetin fizik të presidentit, familjes së tij dhe figurave të qeverisë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Oficerët ushtarakë të Gabonit morën pushtetin sot pasi presidenti Ali Bongo u shpall fitues në zgjedhjet e së shtunës për një mandat të tretë.
Ushtria anuloi rezultatet e zgjedhjeve që shpallën Bongon fitues me 64,27 për qind të votave.
Bongo ka qenë në pushtet për më shumë se një dekadë.
Ushtria tha se denoncon “qeverisjen e papërgjegjshme dhe të paparashikueshme që rezulton në një përkeqësim të vazhdueshëm të kohezionit social, i cili rrezikon ta çojë vendin në kaos”.
Në deklaratën e lexuar në televizionin shtetëror nga Komiteti për Tranzicionin dhe Rivendosjen e Institucioneve (CTRI) thuhej se Bongo po mbahet “në arrest shtëpie, i rrethuar nga familja dhe mjekët e tij”.
Kryetari i Komisionit të Bashkimit Afrikan, Moussa Faki Mahamat, tha se po e ndjek situatën me shqetësim të madh.