Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen njoftoi se 2 miliardë euro do të dërgohen sot nga paketa e ndihmës makro-financiare për Ukrainën e cila lufton me Rusinë.
Në një postim nga llogaria e saj në Twitter, Von der Leyen tha se 2 miliardë euro nga paketa prej 9 miliardë eurosh të njoftuar më parë për Ukrainën do të jepen sot ndërsa pjesa tjetër do të dërgohet nga fundi i vitit, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Më 18 maj BE-ja njoftoi paketën e ndihmës makro financiare prej 9 miliardë eurosh me qëllim për të ndihmuar Ukrainën, paketë kjo e cila u miratua në Samitin e Liderëve të BE-së më 23-24 qershor.
Dje ministrat e Jashtëm të BE-së ranë dakord mbi paketën e gjashtë të ndihmës në vlerë prej 500 milionë euro për Ukrainën. Në këtë mënyrë kanë tejkaluar mbi 3 miliardë euro gjithsej ndihmat ushtarake që BE-ja filloi t’i ndajë për Ukrainën më 28 shkurt./FolDrejt/