Hendeku Lindje – Perëndim është duke u bërë gjithnjë e më solid, jo vetëm në ekonomi. 30 vjeçarët në Gjermani janë ende të rinj. Mosha mesatare është 45. Nga pikëpamja statistikore, nënat bëjnë fëmijën e parë kur janë 30 vjeç, pavarësisht se në cilën pjesë të Gjermanisë ndodhen. Për këtë pikë nuk ekzistojnë më ndryshime midis Lindjes dhe Perëndimit. Para ribashkimit të Gjermanisë më 3 tetor 1990, ka pasur ndryshime. Në Gjermaninë Federale (perëndimi) nënat kanë pasur moshën 27 vjeç kur prisnin fëmijën e parë, kurse në Republikën Demokratike (Lindje), kanë pasur moshën 24 vjeçare. Pra në planifikimin familjar, raportet janë barazuar.
Prandaj, i Ngarkuari i qeverisë gjermane me Landet e reja, të krijuara par ribashkimit, Marco Wanderwitz, ka shumë të drejtë kur thotë se: “Pas vitit 1990, Gjermania është bërë njësoj në shumë fusha”. Një shembull tjetër që ai përmend është organizimi i kohës së lirë dhe pjesëmarrja në shoqata. Në shumë statistika kudo që të hedhësh sytë, “sheh gjithnjë e më shumë gjëra që na bëjnë bashkë dhe më pak gjëra që na ndajnë”.
A është e vërtetë kjo? Raporti vjetor për gjendjen e bashkimit gjerman, i prezantuar në mes të muajit shtator tregon rezultate të tjera.
Sidomos sa i përket faktorëve të fortë, pamja nuk është aq rozë. Fuqia ekonomike e pesë landeve federale lindore është në nivelin 73 përqind të fuqisë punëtore mesatare mbarëgjermane. Edhe të ardhurat janë me 89 përqind, poshtë nivelit të Perëndimit. I ngarkuari i qeverisë me Lindjen e Gjermanisë, e pranon hapur këtë deficit, por thotë se shpreson që të krijohet një tendencë ndryshimi nëpërmjet vendosjes në Lindje të teknologjive të së ardhmes, sipas shembullit të Teslës, prodhuesit të automjeteve elektrike që ka planifikuar të vendoset në afërsi të Berlinit. Konkretisht ai mendon për investime në fushat e mobilitetit, hidrogjenit dhe inteligjencës artificiale (KI).
Nga Kuvendi Popullor në Bundestag
Në këtë pikë, Marco Wanderwitz, që është shok partie me kancelaren Angela Merkel, është me të njëjtën mendje me Dagmar Enkelmann-in, e cila ndodhet politikisht në kamp krejt tjetër. Ajo, kryetare e Fondacionit Roza Luksemburg, të afërt me partinë E majta, e vë theksin në dallimet ekonomike. Ato bëjnë që “edhe në të ardhmen zhvillimi në Lindje të jetë ndryshe”, thotë ajo në intervistën për Deutsche Wellen. Prandaj, sot kërkohet që të vritet mendja për të gjetur se “cilat masa duhen marrë për të ndryshuar drejtimin në zhvillimin rajonal dhe politikën strukturore ekonomike”.
Pas dyshimeve të para, ajo personalisht ka vendosur paqe me Bashkimin Gjerman. Dagmar Enkelmann, ish deputete e Kuvendit Popullor të Gjermanisë Lindore dhe deputete e Bundestagut, për partinë E majta, është e gëzuar që sot “Bota ka më shumë ngjyra dhe ajri është bërë më i pastër”. Ajo ka pasur mundësinë të krijojë vetë mendimin e saj. Qytetarët e Gjermanisë Lindore e kanë pas njohur Perëndimin thuajse vetëm prej televizorit. Që nga viti 1990, ajo bashkë me të tjerë ka pasur mundësinë që të udhëtojë në gjithë botën. “Që nga ajo kohë, unë kam parë shumë,” thotë ajo.
Ëndrra për “lumturinë e ribashkimit “
Megjithë kritikat për vazhdimin e dallimeve ajo bën përmbledhje pozitive: “Kjo ishte rruga e drejtë për shumicën e njerëzve në Gjermani”. Duke foliur për imazhet e 3 tetorit të 1990, ajo thotë se sa herë që i sheh, “i bëhet mishi kokërr”. Euforia është “ende prezente”.
I ngarkuari me Lindjen, Wanderwitz madje shpreson që të mund të përjetojë sërish “lumturinë e ribashkimit”. Kjo gjë i takon popullit, por dhe politikës. Shqetësim, ai që po ashtu vjen nga ish Gjermania Lindore, ka për vlerësimin e pakët që i bëhet demokracisë në Lindje. Vetëm 78 përqind e njerëzve shohin tek demokracia formën më të mirë shoqërore për Gjermaninë. Në perëndim kjo shifër është 91 përqind.
Pa migrantët Lindja do të vazhdojë ta ketë të vështirë. Mirko Wanderwitz flet për rezultatet e larta që marrin partitë e djathta në zgjedhje dhe numrin relativisht më të lartë të ekstremistëve të djathtë në Lindje të Gjermanisë. Kjo është një “çështje”, që ai e ka shumë për zemër, por që duhet të jetë shqetësim për githë politikën dhe shoqërinë”. Jo vetëm për shkaqe ekonomike. Fuqia ekonomike dhe shërbimet në Lindje, “nuk mund të mbahen pa migrantët”, thotë Marco Wanderwitz.
Shumë të rinj vazhdojnë të shkojnë në Perëndim, sepse atje ndodhen pothuajse të gjitha firmat e mëdha të industrisë së automobilëve dhe të industrisë kimike, të cilat kanë vende pune që paguhen më mirë. Megjithatë i Ngarkuari me Lindjen shpreson tek një migracion i brendshëm gjerman në favor të Landeve të reja, që janë pjesë e Republikës Federale të zgjeruar para 30 vjetësh. I ngarkuari me lindjen mbështetet tek “mendjehapja dhe kultura e mikpritëse”.
Në mënyrë që kjo të mos mbetet vetëm ëndërr në diell, Marco Wanderwitz mendon gjithnjë e më shumë për ardhjen e forcave të reja të punës nga vendet e tjera, sidomos nga Europa për shkak të afërsisë kulturore. Kështu që ai mendon që polakët që nuk mund të qëndrojnë në Britani të Madhe për shkak të Brexit-it, mund të vijnë në Lindje të Gjermanisë. “Por natyrisht, sytë duhen hedhur në gjithë botën! Kjo kërkon sigurisht mendjehapje dhe kulturë mikpritëse.”
Por, me këto gjëra pa dyshim që gjermanët në Lindje kanë probleme më të mëdha se sa ata në Perëndim. Kjo gjë dallohet në rezultatin e zgjedhjeve të populistëve të djathtë dhe partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD), një parti që sipas Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës është pjesërisht ekstremiste e djathtë. Kjo parti është futur në parlamente në të pestë landet e reja gjermano-lindore duke patur rezultat zgjedhjesh me mbi 20 përqind të votave. “Lindja voton ndryshe nga Perëndimi,” thotë historian Frank Bösch. nga Qendra Leibniz për studimin e historisë bashkëkohore në Potsdam. Ai e thotë këtë në përgjithësi, jo vetëm duke patur parasysh AfD.
AfD është edhe fenomen perëndimor
“Votimi ndryshe në Lindje ka të bëjë edhe me Të majtën, e cila ka qenë për një kohë të gjatë parti popullore në Lindje dhe ka qenë dhe është e shumëllojshme”, thekson Bösch. Ai flet edhe për përqindje të ndryshme në vota të “partive klasike”, Kristiandemokratëve (CDU), Sozialdemokratëve (SPD), Liberalëve të Lirë (FDP) dhe Të gjelbërve, të cilat hasin në Lindje vështirësi shumë më të mëdha se sa në Perëndim. Në të vërtetë AfD nuk është “vetëm fenomen lindor”.
Kundrimi i hartës politike të Gjermanisë tregon: AfD është përhapur ndërkohë kudo; në Bundestag ajo ka që nga viti 2017 fraksionin më të madh opozitar. Suksesi që ka arritur kjo parti, është çështje e mungesës së fuqisë ekonomike dhe mendjehapjes dhe këtë e tregojnë rezultatet dyshifrore në zgjedhje në “Jugun me mirëqënie të lartë”, siç thotë historiani Frank Bösch. Në Bavari kjo parti që kërkon izolimin dhe uljen e migracionit mori në zgjedhjet e Landit mbi dhjetë përqind, në Baden- Vyrtemberg mori madje mbi 15 përqind.
Zonat në ish-Republikën Federale janë më internacionale
Në dy landet më të sukseshme ekonomike të Gjermanisë, përqindja e të huajve është mbi mesataren gjermane prej 12 përqind. Shjegimi i suksesit të populistëve të djathtë do ishte në këtë mënyrë shumë i thjeshtë. Sepse po të ishte kështu, AfD do i duhej që të mbushte në Lindje, ku përqindja mesatare e të huajve është 5 përqind, boshllëkun që ekziston. Fakti që struktura e popullsisë është në Perëndim më e larmishme dhe më internacionale se në Lindje edhe 30 vjet pas ribashkimit, ka të bëjë kryesisht me migracionin e filluar në vitet 1960.
Po të mos marrim parasysh Berlinin, kryeqytetin që ndodhet në Lindje të Gjermanisë dhe qytetet atraktive universitare si Lajpcig, Drezden dhe Potsdam, mund të themi se fuqia tërheqëse e Perëndimit do të vazhdojë të jetë e madhe edhe për një kohë të gjatë. Këtë e di edhe i Ngarkuari i qeverisë gjermane me Lindjen. Kur pak kohë më parë Marco Wanderwitz, shpjegoi raportin aktual për gjendjen e Bashkimit Gjerman, ai tregoi edhe një anektodë për takimin e klasës së tij 25 vjet mbas maturës: Numri i atyre që kishin qëndruar në Zaksen, mund të numërohej me gishtat e një dore. “Pjesa tjetër ka vajtur diku në Perëndim të Gjermanisë, në Zvicër, në Austri.” por largimi nga Lindja ka filluar të bjerë ndërkohë, thotë i Ngarkuari për Lindjen duke pasur parasysh vendin nga vjen: “Tani nuk janë duke u larguar të gjithë të rinjtë e një mature, madje qëllon që nuk largohet asnjëri.”