Më shumë se 30 vendbanime rreth kryeqytetit të Ukrainës tanimë janë nën kontroll të ukrainasve, ka thënë këshilltari presidencial ukrainas.
Duke folur në televizionin kombëtar, Oleksiy Arestovych paralajmëroi se do të ketë ende “beteja të rënda përpara” për jugun dhe lindjen e Ukrainës, duke përfshirë Mariupolin, përcjell Telegrafi.
Mediat kanë raportuar më herët se Ukraina ka rimarrë qytetet Bucha dhe Brovary.
Rusia theksoi në fillim të kësaj jave se do të zvogëlonte në mënyrë drastike operacionet e saj ushtarake rreth Kievit dhe Chernihiv dhe analistët presin që ajo të përqendrojë vëmendjen e saj në Ukrainën lindore.
Dhe se sa e rëndësishme është për Ukrainën që të rimarrë zonat kyçe rreth Kievit, tregon Elizabeth Braw, anëtare rezidente në Institutin Amerikan të Ndërmarrjeve.
Ajo i tha Sky News se “duket sikur batica ka filluar të kthehet në favor të ukrainasve në drejtim të jo vetëm rezistencës, por rimarrjes së qyteteve”.
Megjithatë, ajo paralajmëron se ne nuk mund të supozojmë se kjo është një “rrugë drejt fitores” për Ukrainën.
Braw mendon se tani duket shumë e pamundur që Rusia të arrijë të zëvendësojë qeverinë ukrainase pasi dështoi të nisë një sulm në shkallë të plotë në Kiev.
“Unë mendoj se ajo ëndërr ka marrë fund,” thotë ajo.
Megjithatë, Vladimir Putin do të duhet t’i “shesë diçka publikut rus”, kështu që Braw parashikon se strategjia e presidentit rus tani do të jetë e përqendruar për të marrë Ukrainën lindore dhe të ndërpresë hyrjen e vendit në det.