Përmes një takimi virtual me gazetarët është prezantuar sot në Tiranë, raporti ekonomik për Ballkanin Perëndimor, vjeshtë 2021.
Raporti tregon se, ekonomia e Shqipërisë po rimëkëmbet më shpejt seç pritej, pas krizës historike të shkaktuar nga pandemia COVID-19. Pas tkurrjes së ekonomisë me 4 për qind gjatë vitit 2020, për vitin 2021, parashikohet që rritja e PBB-së të shkojë në 7,2 për qind, një nga më e lartat në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas raportit të BB-së, ringritja po kontribuon në mbledhjen e të ardhurave fiskale. Politikat ekonomike e kanë mbështetur këtë rimëkëmbje, por shtimi shpenzimeve ka çuar në rritje të mëtejshme të raportit të borxhit kundrejt PBB-së.
Ndërkohë që pandemia COVID-19 vazhdon në mbarë botën, pasiguria mbetet e lartë. “Gjatë vitit 2021, ekonomia shqiptare ka shfaqur shenja inkurajuese të rimëkëmbjes”, u shpreh Emanuel Salinas, Menaxher i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë, sipas të cilit, “me fuqizimin e rritjes, Shqipëria ka mundësi të forcojë qëndrueshmërinë e modelit të saj ekonomik dhe të zbatojë reformat që do të mbështetin më tej rritjen gjithëpërfshirëse e të qëndrueshme, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik”.
Raporti tregon se rajoni i Ballkanit Perëndimor është përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme, me një rritje të PBB-së që parashikohet të arrijë në 5,9 për qind për 2021, pas tkurrjes me 3,1 për qind në vitin 2020. Rritja e rajonit parashikohet të arrijë në 4,1 për qind për vitin 2022 dhe 3,8 për qind për vitin 2023. Norma e varfërisë për rajonin parashikohet të shkojë në nivelet para pandemisë dhe të ulet me rreth 1 pikë përqindje ose 20,3 për qind, çka është afër niveleve të vitit 2019.
Rimëkëmbja në mbarë rajonin vjen falë forcimit të kërkesës vendase dhe asaj të huaj. Rritja e fortë e konsumit vendas dhe rinisja e udhëtimeve në Evropë ndihmuan në rritjen e dërgesave, si dhe flukseve hyrëse të turistëve gjatë kulmit të sezonit veror.
Ringritja e fortë e ekonomive të përparuara siguroi, po kështu, rritje të kërkesës për eksporte nga rajoni. Megjithatë, rimëkëmbja mbetet e brishtë. Sinjalet paralajmëruese nga tregu i punës kërkojnë vëmendje të madhe me politika. Humbja e vendeve të punës për shkak të krizës dhe periudhës pasuese ka prekur shpërpjesëtimisht gratë dhe të rinjtë, çka mund të sprapsë përpjekjet për rritjen e shkallës, ndërkaq të ulët, të pjesëmarrjes së forcës së punës në rajon. Në vitin 2021, papunësia te të rinjtë në rajon shkoi në 37,7 për qind, duke u rritur me 5,4 pikë përqindje nga qershori i vitit 2020, çka përkeqësoi më tej perspektivat e punësimit të të rinjve.
Raporti hedh një vështrim edhe mbi sfidat makrofiskale dhe nxitësit e rritjes së gjelbër në rajon. Aktualisht, Ballkani Perëndimor e gjen veten në moment vendimmarrjeje kyçe lidhur me tranzicionin e gjelbër, që është i pashmangshëm. Përpjekjet globale të aksionit për klimën po shkaktojnë ndryshime themelore në shoqëri.
Preferencat e konsumatorëve dhe investuesve po ndryshojnë, teknologjitë e gjelbra dhe modelet e reja të biznesit po trazojnë më shumë tregjet dhe politikat e gjelbra po riformësojnë peizazhet ekonomike.
Si rrjedhojë e kësaj, kalimi drejt ekonomisë së gjelbër, për çdo vend, po bëhet faktor vendimtar në konkurrencën ndërkombëtare dhe aftësinë për të tërhequr financime dhe investime ndërkombëtare.
Prezantimi i zhvillimeve ekonomike për Shqipërinë u bë nga ekonomistja e Zyrës së BB për Shqipërinë, Hilda Shijaku.