Të paktën 28 persona kanë humbur jetën në një shpërthim në një xhami në qytetin pakistanez Peshawar.
Shpërthimi ndodhi kur xhamia ishte e mbushur me besimtarë dhe më shumë se 150 njerëz u plagosën, shkruan BBC, përcjell Fol Drejt.
Një pjesë e ndërtesës u shkatërrua dhe zyrtarët thonë se njerëzit janë varrosur nën rrënoja. Disa të tjerë po dërgohen në spitalet lokale.
Shkaku i shpërthimit është i paqartë. Kryeministri Shebaz Sharif e ka dënuar ashpër sulmin.
Në një deklaratë, Sharif tha se ata që qëndrojnë pas incidentit “nuk kanë asnjë lidhje me Islamin”.
Ai shtoi: “I gjithë kombi po qëndron i bashkuar kundër kërcënimit të terrorizmit”.
Shpërthimi ndodhi gjatë lutjeve të pasdites në qytetin veriperëndimor, pranë kufirit të vendit me Afganistanin.
Mohammad Asim, një zëdhënës i spitalit Lady Reading, tha se disa nga të plagosurit ishin në gjendje kritike.
“Është një situatë emergjente,” shtoi z. Asim.
Mediat lokale raportojnë se policia, ushtria dhe skuadrat e asgjësimit të bombave ndodhen në vendngjarje.
Në kryeqytet, Policia e Islamabadit lëshoi një alarm të lartë sigurie dhe tha se siguria në të gjitha pikat hyrëse dhe dalëse në qytet ishte rritur./FolDrejt/