Bashkimi Evropian (BE) dënoi sulmin me bomba thërrmuese të kryer nga regjimi i Asadit në kampin ku jetojnë civilët e zhvendosur në veri të provincës Idlib në Siri.
Në një deklaratë nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, thuhet se nga sulmi humbën jetën 9 persona, përfshirë 4 fëmijë ndërsa 75 të tjerë u plagosën dhe 400 familje u zhvendosën sërish, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“BE-ja dënon këtë sulm në termat më të ashpër të mundshëm dhe u dërgon ngushëllimet familjeve të viktimave”, thuhet në deklaratë në të cilën shtohet se ka detyrime ndërkombëtare që kërkojnë mbrojtjen e civilëve dhe infrastrukturës civile.
“BE-ja i bën thirrje regjimit dhe aleatëve të tij që të ndalojnë sulmet pa dallim dhe të respektojnë ligjin ndërkombëtar humanitar”, thuhet më tej në deklaratë.
Gjithashtu BE-ja përsëriti thirrjen e saj për armëpushim dhe zgjidhje politike në Siri.
Në sulmin me bomba thërrmuese nga forcat e regjimit në kampin Maram në veri të Idlibit humbën jetën 9 civilë ndërsa të paktën 75 të tjerë u plagosën./FolDrejt/