Bashkimi Evropian (BE) dënoi ashpër sulmin i cili vendosi në objektiv ish-kryeministrin e Pakistanit, Imran Khan dhe në të cilin humbi jetën një person.
Zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali në një konferencë për media tha se BE-ja dënon ashpër sulmin, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ajo tha se kanë mirëpritur thirrjen e qeverisë për hetim të pavarur dhe gjithëpërfshirës, duke shtuar se asnjë lloj dhune nuk mund të pranohet dhe se kjo dëmton demokracinë.
“Shprehim ngushëllime për të afërmit e atyre që kanë humbur jetën dhe urojmë shërim të shpejtë për të plagosurit”, deklaroi Massrali.
Ish-kryeministri pakistanez Khan më 28 tetor filloi marshimin nga qyteti Lahor drejt Islamabadit me arsyen se qeveria e koalicionit nuk shpalli zgjedhje të parakohshme.
Khan u plagos në të dyja këmbët si pasojë e hapjes së zjarrit dje ndaj autokolonës së tij në Wazirabad. Në sulm humbi jetën një person ndërsa 7 të tjerë u plagosën./FolDrejt/