Kosova do të përfitojë më shumë se 100 milionë euro grante nga BE-ja dhe Gjermania për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave, shkruan Fol Drejt.
Lajmi u konfirmua nga Qeveria e Republikës së Kosovës përmes një komunikate në rrjetin social Facebook.
“Republika e Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nënshkruan sot marrëveshje financimi në vlerë prej mbi 100 milionë euro për zbatimin e projekteve për Trajtimin e Ujërave të Zeza dhe Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta me KfW-në dhe BE-në”, thuhet në komunikatë.
Tutje, në njoftim thuhet se projekti për menaxhimin e mbeturinave të ngurta do të zbatohet në komunat e Prishtinës, Prizrenit, Gjilanit, Ferizajt, Podujevës dhe Pejës dhe do të përfshijë ndërtimin, zgjerimin dhe rehabilitimin e deponive dhe stacioneve të transferimit të mbeturinave të ngurta. Për këtë projekt, Qeveria Gjermane do të sigurojë 20 milionë euro, ndërsa BE-ja 23 milionë euro përmes fondeve IPA. Qeveria e Kosovës do të kontribuojë me 8 milionë euro dhe komuna e Pejës me 3 milionë, duke e bërë kontributin e përgjithshëm kombëtar 11 milionë euro.
Nga ana tjetër, ambasadori gjerman në Kosovë Rohde, u shpreh se “Këto projekte pasqyrojnë edhe më tej përkushtimin e vazhdueshëm të Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, me theks të veçantë në ruajtjen e burimeve ujore dhe ruajtjen e mjedisit”. /FolDrejt/