I dërguar i Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Anzhej Frangesh, është shprehur se NATO dhe BE duhet që të mos lejojnë ndikimin keqdashës në Ballkanin Perëndimor, duke iu referuar kështu ndikimit rus.
Ai ka dhënë këtë deklaratë ekskluzivisht për klankosovën, transmeton Fol Drejt.
“Kryesisht, të gjitha vendet po përballen me rritje të konsiderueshme të kostos së jetesës, veçanërisht në fushën e energjisë dhe ushqimit. Kohët e fundit kemi qenë dëshmitarë të disa kërcënimeve serioze kibernetike. E gjithë kjo, natyrisht, nuk kufizohet vetëm në rajon”, ka theksuar Frangesh.
“Ka shumë shembuj të pasojave të luftës në Ukrainë që mund t’i përmendim, por më e rëndësishmja për të vënë në dukje është se BE-ja dhe NATO-ja po i ndihmojnë vendet e rajonit të zbusin pasojat dhe të adresojnë sfidat. Solidariteti ynë duhet të shtrihet edhe në Ballkanin Perëndimor”.
“Megjithatë, kjo duhet parë si një mundësi. Disa konsiderata gjeostrategjike tani vlejnë edhe për Ballkanin Perëndimor, ose të paktën ne besojmë kështu. BE-ja, në disa aspekte edhe NATO, duhet të bëjnë gjithçka që munden për të mos lejuar ndikimin keqdashës të të ashtuquajturve aktorë të tretë, përfshirë Rusinë. Duket se vendet anëtare të BE-së janë të përgatitura për të marrë disa vendime të vështira politike në lidhje me rajonin. Besoj se e gjithë kjo ofron një mundësi unike për të ecur përpara më shpejt”, ka thënë Frangesh për Klankosova.tv./FolDrejt/