Në mbledhjen e sotme nuk priten vendime, por synimi është të përcaktohet një drejtim i mundshëm në mënyrë që Komisioni Evropian të paraqesë propozime konkrete javën e ardhshme.
Ministrat e Energjisë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) u mblodhën sot në Bruksel në një takim të jashtëzakonshëm në përpjekje për të rënë dakord lidhur me masat për ndalimin e rritjes së çmimit të energjisë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë i Çekisë, Jozef Sikela para takimit tha se BE-së i duhet një përgjigje “e shpejtë dhe e unifikuar” ndaj krizës energjetike, sepse “nuk ka kohë për të humbur” në këtë situatë të vështirë.
“Ne jemi në një luftë energjetike me Rusinë sepse (presidenti Vladimir) Putin po manipulon tregun e gazit. Kjo krizë serioze kërcënon mënyrën tonë të jetesës dhe gjithashtu sulmon ekonominë tonë”, tha Sikela.
Në mbledhjen e sotme nuk priten vendime, por synohet të përcaktohet një drejtim i mundshëm në mënyrë që Komisioni Evropian të paraqesë propozime konkrete javën e ardhshme.
Sikela pret që ministrat e Energjisë të BE-së “të tkurrin grupin e masave” në mënyrë që KE-ja të paraqesë projektligjin dhe ta miratojë atë sa më shpejt të jetë e mundur.
Ai tha se nëse kjo ndodh, trupi ekzekutiv i BE-së mund të paraqesë një propozim brenda pak ditësh.
Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen njoftoi të mërkurën se do të propozojë kufizimin e të ardhurave të kompanive energjetike që prodhojnë energji elektrike me kosto të ulët ndërsa fitimet e tepërta të orientohen tek qytetarët dhe bizneset më të cenueshme./FolDrejt/