Bashkimi Evropian (BE), për shkak të rritjes së rasteve të COVID-19 në Kinë, po përgatitet të vendosë masa siç janë testi i detyrueshëm për ata që vijnë nga ky vend.
Ekspertët e vendeve të BE-së dhe Komisionit Evropian në një takim të mbajtur dje në Bruksel diskutuan disa masa ndaj personave që udhëtojnë nga Kina drejt vendeve të BE-së, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Sipas informimit të bërë nga Tim McPhie, një prej zëdhënësve të Komisionit Evropian, shumica e vendeve anëtare dhe Komisioni Evropian kanë shprehur mendim pro këtyre masave.
Në mesin e masave që u diskutuan, përfshihen zbatimi i testit COVID-19 para fluturimit për udhëtarët që vijnë nga Kina, vendosja e maskës gjatë fluturimit, analizimin e ujërave të zeza të avionëve që ulen nga Kina në BE me qëllim zbulimin e varianteve të reja si dhe kryerjen e skanimit të sekuencës së gjenomeve me mostrat e marra nga udhëtarët.
Sot pritet që zyrtarë nga vendet e BE-së dhe institucionet e BE-së të mbajnë një takim më të gjerë për vlerësimin e këtyre çështjeve dhe për marrjen e një vendimi rekomandues.
“Ne si Komision Evropian kemi paraqitur propozimin tonë për nevojën e testimit para fluturimit. Edhe shumica e vendeve anëtare janë në të njëjtin mendim”, ka theksuar McPhie.
Shumë vende janë të shqetësuara për rastet në rritje dhe përhapjen masive pasi Kina lehtësoi masat e koronavirusit në fillim të muajit të kaluar, duke njoftuar se do të marrin masa ndaj udhëtarëve që vijnë nga Kina.
Krahas vendeve të BE-së, përfshirë Italinë, Spanjën, Francën, si dhe vende të tjera si SHBA-ja, India, Japonia, Malajzia, Britania, Australia dhe Kanadaja, njoftuan zbatimin e testimit dhe masa për të ndjekur gjendjen shëndetësore të udhëtarëve që vijnë nga Kina./FolDrejt/