Bashkimi Evropian do të ndajë edhe 1 milionë euro tjera për përpjekjet e deminimit të Ukrainës. Kështu deklaroi Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, në një konferencë për shtyp të enjten në Lodz në kuadër të takimit dyditor të Këshillit të Ministrave të OSBE-së, shkruan Ukrinform, përcjell Fol Drejt.
Në takim do të paraqitet një propozim për të mbështetur Ukrainën dhe OSBE-në, tha Borrell, duke shtuar se do të njoftojë ndarjen e një milionë euro shtesë për operacionet e deminimit në Ukrainë në kuadër të OSBE-së.
Siç raportoi më herët Ukrinform, një takim dy-ditor i Këshillit të Ministrave të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) filloi të enjten në qytetin polak Lodz. Pritet që në fokus të takimit të jetë çështja e luftës së vazhdueshme të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Polonisë, pjesëmarrjen në takim e kanë konfirmuar disa dhjetëra ministra. Ministri i Punëve të Jashtme Dmytro Kuleba përfaqëson Ukrainën në ngjarjen kryesore të vitit të OSBE-së.
Më herët, autoritetet polake refuzuan t’i lëshojnë viza delegacionit rus të kryesuar nga Sergej Lavrov. Shteti agresor përfaqësohet në takim nga përfaqësuesi i përhershëm i Federatës Ruse në OSBE. Bjellorusia do të përfaqësohet gjithashtu në nivelin e një përfaqësuesi të përhershëm. /FolDrejt/