Komisioni Evropian premtoi një miliard euro për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmetet shkatërruese të shkurtit në jug të Turqisë, raporton Anadolu, transmeton Fol Drejt.
Presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian (BE), Ursula Von der Leyen, në fjalimin e saj në hapjen e Konferencës Ndërkombëtare të Donatorëve në Bruksel, bëri thirrje për mbështetje për zonat e prekura nga tërmeti në Turqi dhe Siri.
“Kam kënaqësinë të njoftoj se vetëm Komisioni Evropian do të mbështesë Turqinë me një miliardë euro për rindërtimin pas tërmetit”, tha Von der Leyen.
Siç tha ajo, shtëpitë, shkollat dhe spitalet duhet të rindërtohen sipas standardeve më të larta të sigurisë sizmike dhe të riparohet infrastruktura kritike.
Von der Leyen theksoi gjithashtu se BE-ja nuk dëshiron të ndihmojë viktimat e tërmeteve që “vetëm të mbijetojnë, por edhe të rindërtojnë jetën e tyre”.
Ajo njoftoi një pako shtesë prej 108 milionë eurosh për ndihmë humanitare dhe rimëkëmbje të hershme në Siri.
Dy tërmete shkatërruese me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë të shkallës Rihter goditën pjesët jugore të Turqisë më 6 shkurt, epiqendra e të cilave u regjistrua në Kahramanmaras.
Numri i të vdekurve nga tërmetet shkatërruese që goditën Turqinë jugore muajin e kaluar është rritur në 50096.
Më shumë se 13.5 milionë njerëz në Turqi u prekën nga tërmetet shkatërruese, ashtu si edhe shumë të tjerë në Sirinë veriore.
Në Sirinë fqinje, të paktën 4,500 njerëz humbën jetën dhe më shumë se 8,700 të tjerë u plagosën./FolDrejt/