Në deklaratë thuhet se agresioni i Rusisë në Ukrainë shkel rëndë ligjin ndërkombëtar, shkakton vdekjen dhe plagosjen e njerëzve dhe vendos në objektiv popullatën civile përfshirë spitalet, shkollat dhe strehimoret.
Liderët e Bashkimit Evropian i bënë thirrje Rusisë të ndalë menjëherë krimet e saj të luftës dhe përsëritën mbështetjen e Unionit për Ukrainën, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në fund të sesioneve të ditës së parë të samitit, liderët e BE-së miratuan një deklaratë lidhur me Ukrainën.
Në deklaratë thuhet se agresioni i Rusisë në Ukrainë shkel rëndë ligjin ndërkombëtar, shkakton vdekjen dhe plagosjen e njerëzve dhe vendos në objektiv popullatën civile përfshirë spitalet, shkollat dhe strehimoret.
“Krimet e luftës duhet të ndalen menjëherë. Përgjegjësit do të japin llogari përpara ligjit ndërkombëtar”, thuhet në deklaratën në të cilën vihet në dukje se bllokada në Mariupol dhe mos lejimi i dërgimit të ndihmave humanitare në qytetet e tjera janë të papranueshme dhe se forcat ruse duhet të lejojnë qasjen.
Ndër të tjera në deklaratë, Rusisë i bëhet thirrje që të lejojë urgjentisht kalimin e sigurt të civilëve, qasje të pandërprerë humanitare dhe të formojë korridore humanitare.
Në deklaratë përsëritet thirrja ndaj Rusisë për të respektuar integritetin territorial të Ukrainës, ndërsa nënvizohet mbështetja e BE-së për Ukrainën dhe zgjedhjen e saj për anëtarësim në Union. Ndaj Komisionit Evropian përsëritet thirrja që të japë mendimin për anëtarësimin e Ukrainës.
“BE-ja do të vazhdojë të ofrojë mbështetje politike, financiare, materiale dhe humanitare për Ukrainën”, thuhet në deklaratën në të cilën theksohet se BE-ja është e gatshme të zbatojë sanksione të reja.
Më tej u bëhet thirrje të gjitha vendeve anëtare që të veprojnë në përputhje me sanksionet, të pengojnë përpjekjet e mundshme të Rusisë për kapërcimin e sanksioneve dhe që të mos japin asnjë ndihmë ndaj këtij vendi.
Në ditën e parë të samitit mori pjesë edhe presidenti i ShBA-së, Joe Biden, ndërsa BE dhe ShBA nënshkruan një deklaratë të përbashkët dhe mbajtën qëndrim të përbashkët kundër Rusisë. Samiti do të vazhdojë në ditën e dytë me mbajtjen e një sesioni me temë “Euro Samiti” ku do të analizohen çështjet ekonomike, situatat e sektorit bankar dhe i tregjeve të kapitalit./FolDrejt/