Bashkimi Evropian (BE) përpiqet të ndryshojë qëndrimin kundërshtues të Hungarisë në mënyrë që të miratojë mbështetjen e re financiare për Ukrainën dhe të nisë negociatat e anëtarësimit.
Liderët e BE-së do të takohen sot në Bruksel për samitin e fundit të vitit. Megjithatë, vazhdojnë përpjekjet për të bindur kryeministrin hungarez Viktor Orban në lidhje me Ukrainën, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Sipas informacionit të marrë nga burime të BE-së, presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz janë duke zhvilluar takim pesëpalësh me Orbanin përpara samitit.
Në raportin e zgjerimit të shpallur më 8 nëntor, KE-ja rekomandoi fillimin e negociatave të pranimit me Ukrainën. Më pas, kryeministri hungarez Orban njoftoi se do të vë veto ndaj këtij vendimi, i cili duhej të merrej unanimisht nga Këshilli i BE-së.
Orban, i cili përmendi korrupsionin e rëndë në Ukrainë dhe mungesën e rezultateve të mbështetjes perëndimore në luftë si justifikim për vendimin e tij, kundërshton dhënien e 50 miliardë eurove ndihmë për Ukrainën.