Bashkimi Evropian (BE) ka miratuar paketën e pestë të sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të luftës së saj kundër Ukrainës, duke ndaluar importet e qymyrit dhe kamionët dhe anijet ruse të hyjnë në territorin e bllokut evropian, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Në dritën e luftës së vazhdueshme të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe mizorive të raportuara të kryera nga forcat e armatosura ruse në Ukrainë, Këshilli i BE-së vendosi sot të miratojë paketën e pestë të sanksioneve ekonomike dhe individuale kundër Rusisë”, njoftoi Komisioni i BE-së, që përfaqëson vendet anëtare.
Sipas vendimit të ri, që nga gushti i këtij viti do të ndalohet blerja, importi ose transferimi i qymyrit dhe lëndëve djegëse të tjera të ngurta fosile nga Rusia.
Anijet ruse nuk do të lejohen të hyjnë në portet e BE-së, përveç anijeve që transportojnë produkte bujqësore dhe ushqimore, ndihma humanitare dhe energji.
BE-ja po ashtu do të ndalojë kamionët rusë dhe bjellorusë, me një përjashtim për automjetet që transportojnë produkte mjekësore dhe ushqimore, si dhe ndihmë humanitare.
Blloku evropian gjithashtu zgjeroi ndalimin e eksportit të teknologjisë së përparuar si gjysmëpërçuesit, softuerët dhe makineritë e ndjeshme, si dhe përfshiu ndalimin e transaksioneve në katër banka të tjera ruse.
Rreth 217 individë dhe 18 subjekte gjithashtu u shtuan në listën e sanksioneve të BE-së.
Raportet thonë se dy vajzat e presidentit rus, Vladimir Putin, Maria Vorontsova dhe Katerina Tikhonova, janë gjithashtu në listën e zezë, por emrat do të zbulohen vetëm pasi vendimi të publikohet në Gazetën Zyrtare të BE-së.
“Këto sanksione të fundit u miratuan pas mizorive të kryera nga forcat e armatosura ruse në Bucha dhe vende të tjera nën pushtimin rus”, komentoi vendimin shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Ai shtoi se sanksionet synojnë të ndalojnë “sjelljen e pamatur, çnjerëzore dhe agresive të trupave ruse dhe t’ua bëjnë të qartë vendimmarrësve në Kremlin se agresioni i tyre i paligjshëm ka një kosto të rëndë”.
BE-ja ka ndarë 1 miliard euro në mbështetje ushtarake dhe 500 milionë euro në ndihmë humanitare për ukrainasit, ndërsa më herët ka miratuar katër paketa sanksionesh kundër fushatës ushtarake që filloi më 24 shkurt.
Masat e mëparshme kishin në shënjestër 785 individë dhe 14 entitete në total, përfshirë presidentin Putin, ministrin e Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, oligarkë dhe oficerë ushtarakë.
Sanksionet gjithashtu ndaluan eksportin e mallrave luksoze në Rusi, përjashtuan bankat ruse dhe bjelloruse nga sistemi bankar ndërkombëtar SWIFT dhe ndaluan transmetimin e mediave shtetërore Sputnik dhe RT.