Bashkimi Evropian duket se nuk e konsideron tamam shtet Kosovën. Së paku këtë përshtypje lë qëndrimi që BE-ja e mban karshi saj.
Sot, në konferencën e përbashkët për shtyp që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Josep Borrell e mbajtën pas takimit në Bruksel, nuk u pa askund flamuri i Kosovës. Ishin vetëm dy flamuj të BE-së.
Vetëm një flamur i BE-së dhe afër tij ai serb ishin vendosur mes përfaqësuesit të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kur këta dy u takuan para dy ditësh.
Pesë vende të Bashkimit Evropian ende nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, por BE-ja ndërmjetëson pothuajse çdo takim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Nga 27 shtetet anëtare të BE-së, Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Me këtë veprim, besohet se ato po e pengojnë seriozisht rrugëtimin e Kosovës në proceset integruese.
Por Borrell i tha sot Kurtit se dialogu me Serbinë, në fakt, është rruga e Kosovës për në BE.
Por standardi evropian i Bashkimit Evropian duket se është për të mos e trajtuar Kosovën në mënyrë të barabartë me Serbinë.