Bashkimi Evropian ka vendosur që edhe vendet e Ballkanit Perëndimor t’iu nënshtrohen parimeve të reja në lidhje me importin e vaksinave kundër COVID-19.
Sipas një deklarate të lëshuar nga Komisioni, qëllimi i kësaj mase është t’u sigurojë qytetarëve të BE-së qasje me kohë në vaksina.
Deri më tani, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë qenë të përjashtuara nga mundësia e kufizimit të importit të vaksinave nga BE-ja, mirëpo prej tash kjo nuk do të vlejë më për këto vende.
Vendet e Ballkanit Perëndimor janë në listën e vendeve për autorizimin e eksportit të vaksinave, njoftoi Komisioni Evropian, por ato duhet të përmbushin parimet e reciprocitetit të cilat janë vendosur nga BE-ja në mënyrë që të fitojnë të drejtën e importit të vaksinave.
Në listën e vendeve që do të vlejnë rregullat e reja, ndër të tjera, janë: Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, dhe Bosnje dhe Hercegovina. Në dokument nuk përmendet Kosova.
Nëse një vend bën kërkesë për furnizim me vaksina nga BE-ja, atëherë shtetet anëtare dhe Komisionit Evropian e vlerëson nëse eksporti i kërkuar nuk paraqet kërcënim për sigurinë e furnizimit të vaksinave dhe përbërësve të tyre në BE.
Megjithë kriteret e reja të vendosura më 24 mars, BE-ja thotë se mbetet e përkushtuar ndaj solideritetit ndërkombëtar dhe për këtë arsye do të vazhdojë të përjashtojë nga kjo skemë furnizimet e vaksinave për ndihmë humanitare ose të destinuara në 92 vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme që gjenden ne listën e programit global për furnizim me vaksina COVAX.