Kroacia, Rumania dhe Bullgaria janë teknikisht të gatshme për të qenë pjesë e zonës Shengen, tha Margaritis Shinas, Komisioneri për Promovimin e Mënyrës Evropiane të Jetës dhe Zëvendëspresident i KE-së, përpara fillimit të Këshillit të BE-së për Punët e Brendshme.
Komisioneri tha se ka shtete anëtare që ende hezitojnë nëse duhet të japin dritën jeshile, por, siç thotë ai, hezitimi është politik.
“Këto vende harrojnë se BE-ja është më e fortë nëse zgjerohet zona Shengen dhe se një Shengen i zgjeruar do të thotë kontrolle më të mira në kufij”, theksoi Shinas dhe shtoi se shpreson që Këshilli të marrë sot një vendim për hyrjen e këtyre vendeve në zonën Shengen, transmeton Fol Drejt.