Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq konfirmuan se do të takohen në Ohër më 18 mars në kuadër të dialogut me ndërmjetësimin e BE-së, njoftoi Shërbimi Evropian për Çështjet e Jashtme (EEAS).
Në fokus të takimit, nikoqir i shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, do të jetë finalizimi i Aneksit Zbatues të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas EEAS.
Borrell dhe përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Miroslav Lajçak, fillimisht do të kenë takime të ndara me Vuçiqin dhe Kurtin, e më pas do të vijojë takimi i përbashkët trepalësh.
Për t’u përgatitur për takimin në Ohër, Lajçak sot dhe nesër po qëndron në Prishtinë, ndërsa më 13 dhe 14 mars do të vizitojë Beogradin.
Pas takimit të Vuçiqit, Kurtit, Borelit dhe Lajçakut në Bruksel më 27 shkurt, shefi i diplomacisë evropiane deklaroi se liderët e dy palëve arritën një marrëveshje për Marrëveshjen për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por nevojiten negociata shtesë për modalitetet e zbatimit.
Borrell më pas njoftoi se Kurti dhe Vuçiq do të takohen në mes të marsit për të finalizuar diskutimet mbi aneksin e zbatimit, i cili është pjesë integrale e marrëveshjes dhe që do të përcaktojë udhëzimet për zbatimin e saj, transmeton Fol Drejt.