Bashkimi Evropian (BE) njoftoi një paketë ndihme humanitare prej 25 milionë eurosh për palestinezët në Gaza nën bllokadën izraelite dhe palestinezët në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor.
Komisioni i BE-së në një deklaratë me shkrim tha se fondi humanitar i BE-së prej 25 milionë eurosh do të mbështesë aksesin e familjeve palestineze në shërbimet dhe ndihmën bazë, e cila bëhet edhe më urgjente nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe mungesa e ushqimit, si pasojë globale e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“BE këmbëngul në respektimin e plotë të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe dënojmë evakuimin e civilëve dhe shkatërrimin e shtëpive, shkollave dhe infrastrukturës bazë të tyre. Kjo duhet të ndalet,” thuhet në deklaratë.
Fondi do të fokusohet në ofrimin e kujdesit shëndetësor, duke përfshirë kujdesin mendor për traumat, për ata që janë prekur nga dhuna e vazhdueshme, pasojat e bllokadës në Gaza dhe pandemia COVID-19, gjithashtu duke i dhënë prioritet përmirësimit të aksesit të djemve dhe vajzave palestineze për të mbrojtur të drejtën e tyre në aksesin e tyre në arsim.
Në deklaratë, theksohet se 2,1 milionë nga 5,3 milionë palestinezë kanë nevojë për ndihmë humanitare dhe 63 për qind e popullsisë së rajonit do të ketë nevojë për një lloj ndihme humanitare pasi bllokada dhe konfliktet e përhershme në Gaza paralizojnë ekonominë e saj.