Bashkimi Evropian ka ndarë 1.5 miliardë euro për Ukrainën pas sulmeve ajrore ruse të kryera së fundmi, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Dënoj me vendosmëri sulmet ruse ndaj infrastrukturës së magazinimit dhe eksportit të drithërave të Ukrainës”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në një postim në Twitter, duke shtuar se BE-ja vazhdon të mbështesë Ukrainën.
“Sot ne paguam 1.5 miliardë euro të tjera, për të ndihmuar në funksionimin e shtetit dhe riparimin e infrastrukturës. Më shumë do të vijnë”, shtoi ajo.
Sulmet ruse me raketa në Ukrainë janë intensifikuar që nga java e kaluar, pas një shpërthimi në urën Kerch, që lidh Rusinë me Gadishullin e Krimesë, të cilin Rusia e aneksoi ilegalisht në vitin 2014.
Të paktën një person u vra dhe 22 të tjerë u plagosën në një sulmin e mbrëmshëm rus me raketa në qytetin jugor të Ukrainës, Odesa.
Gjatë sulmeve u dëmtua gjithashtu një katedrale historike, bëri të ditur Këshilli i Qytetit të Odesës, duke shtuar se kjo është kisha më e madhe ortodokse në Odesa.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy tha se Kievi do të hakmerret.