Propozimi që parashikon reformimin e ligjit për zgjedhjet në Parlamentin Evropian në vendet e BE-së, u miratua nga anëtarët e parlamentit
Parlamenti Evropian miratoi të martën një propozim legjislativ që parashikon reformimin e ligjit për zgjedhjet parlamentare në të gjitha vendet brenda kufijve të Bashkimit Evropian, shkruan AA.
Parlamenti filloi një reformë të Ligjit Zgjedhor të BE-së për të transformuar gjithsej 27 ligje zgjedhore të veçanta dhe rregullat e tyre të ndryshme në një ligj zgjedhor të vetëm evropian.
Projekt-akti legjislativ u miratua me 323 vota pro, 262 kundër dhe 48 abstenime ndërsa rezoluta shoqëruese me 331 vota pro, 257 kundër dhe 52 abstenime.
Sipas sistemit të zhvilluar nga deputetët, çdo votues do të ketë dy vota; njëri për të zgjedhur deputetë në zonat elektorale kombëtare dhe tjetri në zonën zgjedhore në mbarë BE-në që përbëhet nga 28 vende të tjera.
Për të siguruar përfaqësim të balancuar gjeografik në këto lista, shtetet anëtare do të ndahen në tri grupe në varësi të madhësisë së popullsisë së tyre.
Listat do të plotësoheshin proporcionalisht me kandidatët e këtyre grupeve.
Listat e kandidatëve në mbarë BE-në duhet të dorëzohen nga koalicione të partive politike kombëtare dhe organizatave zgjedhore evropiane si p.sh. komisionet kombëtare zgjedhore.
Parlamenti dëshiron të luftojë pabarazinë gjinore dhe theksoi se pavarësisht përmirësimit të përgjithshëm në zgjedhjet e fundit, disa vende nuk kanë zgjedhur një deputete të vetme femër.
Teksti propozon “lista me barazi gjinore” të detyrueshme që alternohen ndërmjet kandidatëve meshkuj dhe femra ose kuota pa cenuar të drejtat e personave jobinarë.
Për më tepër, propozime të tjera për të “evropianizuar” zgjedhjet përfshijnë përcaktimin e 9 majit si ditë të përbashkët të votimit evropian dhe të drejtën për të votuar për të gjithë evropianët që janë 18-vjeç e lart.
Ka edhe propozime si vendosja e pragut prej 3.5 për qind në zonat që dërgojnë më shumë se 60 deputetë dhe mundësia për të votuar me postë.
Një Autoritet i ri Evropian Zgjedhor do të formohet për të mbikëqyrur procesin dhe për të siguruar përputhjen me rregullat e reja./FolDrejt/