Presidenti i Parlamentit Europian David Sassoli, Kryeministri i Portugalisë Antonio Costa, në emër të Presidencës së Këshillit dhe Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen, sot kanë nënshkruar Deklaratën e Përbashkët për Konferencën për të Ardhmen e Evropës, deklaroi Komisioni Evropian në një njoftim për shtyp.
Nga aty shtohet se kjo hapë rrugën për fillimin e një serie debatesh dhe diskutimesh që do t’u mundësojnë njerëzve nga çdo cep i Evropës të ndajnë idetë e tyre për të ndihmuar në formësimin e së ardhmes së Evropës.
“Konferenca për të ardhmen e Evropës do të jetë një mundësi unike për të gjithë qytetarët evropianë dhe shoqërinë tonë civile për të formësuar të ardhmen e Evropës, një projekt i përbashkët për një demokraci evropiane funksionale. Ne ju bëjmë thirrje të gjithëve që të dilni përpara për të marrë pjesë me zërin tuaj në ndërtimin e asaj që do të jetë Evropa e nesërme, cila do të jetë Evropa juaj, “tha Sassoli.
Costa theksoi se thirrja e Konferencës për të Ardhmen e Evropës është një mesazh i besimit dhe shpresës për të ardhmen që iu dërgojnë evropianëve.
Konferenca i vë vetes qëllimin për t’i dhënë qytetarëve një rol më të madh në formësimin e politikave dhe ambicieve të BE, duke përmirësuar rezistencën e Bashkimit ndaj krizave, qofshin ato ekonomike ose të lidhura me shëndetin. Do të krijojë një forum të ri publik për një debat të hapur, gjithëpërfshirës, transparent dhe të strukturuar me evropianët rreth çështjeve që kanë rëndësi për ta dhe ndikojnë në jetën e tyre të përditshme.
Deklarata e Përbashkët përcakton fushën, strukturën, objektivat dhe parimet e Konferencës.
Ajo krijon skenën për ngjarjet e drejtuara nga qytetarët, për t’u bashkë organizuar me shoqërinë civile dhe palët e interesit në të gjitha nivelet, Parlamentet kombëtare dhe rajonale, Komiteti i Rajoneve, Komiteti Ekonomik dhe Social, partnerët socialë dhe akademia.
Konferenca ftohet të arrijë në konkluzione për të siguruar udhëzime për drejtimin e ardhshëm të Evropës.