Liderët e Bashkimit Evropian (BE) nuk arritën një marrëveshje nëse do të vendosin një kufi të çmimit për gazin natyror pas një debati që përfundoi në orët e para të ditës së sotme, por ata vendosën të kryejnë studime për të përcaktuar pasojat e mundshme të kufirit të çmimit.
Në fund të ditës së parë të samitit të liderëve të BE-së, që filloi dje në Bruksel, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se “tani kemi një udhërrëfyes shumë të mirë dhe solid” për të vazhduar punën në temën e çmimeve të energjisë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Liderët kanë dhënë udhëzimet strategjike që donim për propozimin që vendosëm në tryezë të martë”, u tha gazetarëve von der Leyen.
Gjithsej 15 anëtarë të BE-së, përfshirë Francën, Italinë, Spanjën dhe Belgjikën, kërkojnë një kufi të çmimit për gazin natyror të importuar, por Gjermania, Holanda, Danimarka dhe disa vende të tjera nuk e mbështesin këtë ide.
Vendet që kundërshtojnë kufirin e çmimit thonë se kjo do të rrezikojë sigurinë e furnizimit me energji dhe mund të dëmtojë furnizimin me gaz natyror, veçanërisht në muajt e dimrit.
Shefja e Komisionit Evropian njoftoi se ministrat e energjisë të vendeve të BE-së do të mblidhen më 25 tetor për të diskutuar masat dhe kufirin e çmimit.
Ajo tha gjithashtu se në takimin që do të zgjasë dy ditë intensivisht janë diskutuar disa tema, ku në krye të tyre është blerja e përbashkët e gazit.
“Liderët mbështetën shumë idenë për t’u lejuar kompanive blerjen e përbashkët, për të ndërtuar konsorciume dhe që të punojnë së bashku për të bashkuar forcat në mënyrë që të rrisin fuqinë e tregut të përbashkët për kërkesën e gazit”, tha von der Leyen, duke shtuar se fokusi është se si të kufizohen çmimet jashtëzakonisht të larta të gazit natyror.
Ajo tha se liderët vlerësuan standardin evropian për çmimet e gazit, të quajtur Lehtësia e Transferimit të Titullit (TTF). Sipas saj, TTF-ja kryesisht reflekton gazin e gazsjellësit në të kaluarën, por sot tregu po ndryshon dhe më shumë po vjen gaz natyror i lëngshëm (LNG).
Ajo theksoi se TTF-ja nuk pasqyron më situatën reale të tregut, prandaj Komisioni Evropian do të zhvillojë një indeks të ri plotësues për të pasqyruar më mirë situatën e çmimeve të LNG-së.
Von der Leyen gjithashtu tha se Komisioni Evropian do të marrë një masë të përkohshme në proces derisa të zhvillohet indeksi i çmimeve të LNG-së.
– Mekanizëm i ri në tregun e gazit
Më tej, von der Leyen tha se Komisioni Evropian do të krijojë një mekanizëm korrigjues të tregut për të kufizuar rritjen e tepërt të çmimeve të gazit. Ajo shtoi se komisioni do të punojë me ministrat e energjisë për të përgatitur një propozim ligjor për aktivizimin e këtij mekanizmi.
“Liderët diskutuan edhe një temë të dytë, që është mekanizmi potencial për të kufizuar ndikimin e çmimeve të larta të gazit në koston e energjisë elektrike” tha ajo.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, nga ana e tij, tha se liderët arritën një marrëveshje për një paketë të masave në energji, që sipas tij ishte një hap i fortë.
– Deklarata përfundimtare
“BE do të mbetet e bashkuar për të mbrojtur qytetarët dhe bizneset e saj dhe për të ndërmarrë veprime urgjente kundër përdorimit të energjisë si armë nga Rusia”, tha Komisioni Evropian në një deklaratë përfundimtare, e cila u lëshua pjesërisht pas takimit.
Në deklaratë thuhet se liderët e BE-së ranë dakord për uljen e kërkesës në të gjithë unionin, garantimin e sigurisë së furnizimit, uljen e çmimeve të energjisë për familjet dhe bizneset, si dhe mbrojtjen e integritetit të tregut të vetëm.
Më tej, theksohet se Komisionit Evropian iu kërkua të përfundojë punën për blerjen e përbashkët të gazit, mbushjen e rezervuarëve të gazit dhe përshpejtimin e negociatave me partnerë të besueshëm, si dhe të përgatisë sa më parë propozimet konkrete.
Nga komisioni po ashtu është kërkuar puna për krijimin e një “korridori të përkohshëm” të çmimeve në transaksionet e gazit natyror për të kufizuar çmimet menjëherë dhe krijimi i një kuadri të përkohshëm për të kufizuar çmimin e gazit në prodhimin e energjisë elektrike./FolDrejt/