Vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) kanë pezulluar gjithsej 6,3 miliardë euro të fondeve të bllokut që do t’i jepeshin Hungarisë, përderisa miratuan 5,8 miliardë euro në financimin e rimëkëmbjes pas koronavirusit COVID-19.
Këshilli i Evropës njoftoi se përfaqësuesit e vendeve anëtare kanë marrë vendime për statusin e fondeve që do t’i jepeshin Hungarisë në kuadër të mekanizmit që lidh buxhetin e BE-së me sundimin e ligjit dhe vlerësimin e planit të Hungarisë për rimëkëmbjen nga COVID-19, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Duke theksuar se vendet anëtare morën vendimin me shumicë të përshtatshme për mbrojtjen e buxhetit të BE-së, Këshilli i Evropës vuri në dukje problemet në Hungari në fusha të tilla si prokurimi publik, procedurat e hetimit dhe lufta kundër korrupsionit.
Muajin e kaluar, Komisioni Evropian kërkoi që 7,5 miliardë euro të fondeve të BE-së për Budapestin të pezullohen, gjegjësisht 65 për qind e fondeve të harmonizimit që Hungaria mund të marrë nën mekanizmin e sundimit të ligjit.
Me vendimin e ri, vendet anëtare kanë ngrirë 55 për qind të fondeve, që përbëjnë 6,3 miliardë euro.
Ndërkohë, Hungaria ra dakord të heq veton për dërgimin e 18 miliardë eurove në ndihmë të BE-së për Ukrainën.
“Marrëveshje e madhe. Ambasadorët e BE-së miratuan në parim një paketë prej 18 miliardë eurosh në mbështetje për Ukrainën, taksën minimale prej 15 për qind për korporatat e mëdha, miratimin e RRP-së së Hungarisë (plani i rimëkëmbjes dhe elasticitetit pas COVID-19) dhe një marrëveshje për kushtëzim”, njoftoi në Twitter presidenca çeke e Këshillit Evropian./FolDrejt/