Bashkimi Evropian (BE) e njoftoi edhe zyrtarisht dje Qeverinë e Republikës së Kosovës, për masat ndëshkuese ndaj saj. Kjo e fundit i cilësoi si të padrejta dhe premtoi angazhim për eliminimin e tyre, shkruan Fol Drejt.
Ka javë, e pothuajse edhe muaj, që një klimë aspak miqësore ndaj Kosovës është ngritur nga partnerët ndërkombëtarë, qysh se kjo e fundit bëri përpjekje për funksionalizimin e institucioneve lokale në veri të vendit, pas zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura në një frymë tërësisht demokratike.
Nga BE u tha se këto masa vijnë si rrjedhojë meqë Qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë veprime për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Cilat janë ato masa?
Siç është raportuar, BE-ja ka pezulluar përkohësisht punën në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim dhe Kosova po ashtu nuk do të ftohet në takimet e nivelit të lartë.
“Kemi pezulluar përkohësisht punën e organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Kosova gjithashtu nuk do të ftohet në ngjarje të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre të fokusuara për diskutimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.”
Po ashtu janë pezulluar fondet e Programimit IPA 2024. “Propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WIBF) nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e WBIF më 29-30 qershor”, citohet të ketë thënë zëdhënësi i BE-së Peter Stano.
Sipas BE-së për këto masa qeveria e Kosovës është njoftuar më 28 qershor. Por sipas tyre, masat janë të revokueshme në varësi të zhvillimeve dhe të vendimeve të kryeministrit Albin Kurti. Bashkimi Evropian po monitoron gjithashtu nga afër edhe përmbushjen e kërkesave ndaj Serbisë.
“Ne nuk mund të përballojmë paqëndrueshmëri, tensione dhe dhunë. Ne kemi dënuar dhunën dhe vazhdojmë thirrjet për shpërshkallëzimin e menjëhershëm nga të dyja palët”, tha zëdhënësi i BE-së. Sipas tij, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ishte shumë e qartë: Shtensionimi i situatës në veri, zgjedhjet e reja në ato komuna dhe rikthimi në dialog. Këto janë tri pikat e përmendura edhe nga Samiti i BE-së që u mbajt dy ditë më parë.
Çfarë u tha Qeveria e Kosovës?
Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti tha se këto masa janë të padrejta. Sipas tij, në këtë rast është duke u ndëshkuar vendi më demokratik, pro-evropian dhe progresist, e në anën tjetër po kursehet një shtet autokratik e pro rus, “me të kaluarën kriminale në hapësirën e ish-Jugosllavisë” dhe fajtori kryesor për luftërat e shkaktuara.
Kryeministri Kurti sikur la të kuptohet se shkak për këtë ndëshkim është bërë lufta e hapur që institucionet e vendit i kanë shpallur krimit të organizuar, në pjesën e veriut të vendit.
“Sido që të jetë ne e bëjmë punën tonë, por le të mos harrojmë që nuk mundemi të bëjmë kompromis as me sundimin e ligjit as me kushtetutshmërinë e vendit tonë andaj ne do të vazhdojmë me zbatimin e programit tonë qeveritar dhe shpresojmë që këto masa të përkohshme do të jenë fort të shkurtra ashtu që edhe mbështetja edhe ndihma evropiane të jenë të plota për shkak se Kosova është një vend që ka nevojë për mbështetje në zhvillimin e saj”.
Kryeministri tha më tej se Qeveria e Kosovës është më e interesuar se sa pala tjetër, për deeskalimin e situatës:
“Ne jemi të gatshëm, të interesuar shumë më tepër sesa pala tjetër për normalizim me njohje de facto në qendër, për njohje reciproke, por gjithashtu jemi të interesuar dhe të gatshëm për deeskalimin e gjendjes për çfarë unë kam folur edhe publikisht ë të gjitha gjuhët që i di në mënyrë që të kemi paqe e qetësi në veri të Kosovës, por edhe Kosova e Serbia si dy shtete të ndërtojnë fqinjësi të llojit evropian.”
Ai ka thënë shkurt dhe qartë se nga pala e Kosovës nuk ka pengesa e vështirësi në këtë drejtim, ato duhet kërkuar, sipas tij, te pala kundërshtare.
Kritikat e opozitës
I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) – Lumir Abdixhiku është shfaqur kritik në leximin e kësaj situate.
“Sanksione Kosovës, avancim për Serbinë. Si qenka kjo fitore për ne? Teksa ne përjashtohemi nga programet ushtarake me NATO-n; Serbia vazhdon misionet paqeruajtëse me ta” – ka reaguar Abdixhiku.
Po kaq të ashpër janë treguar edhe i pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, deputeti Abdullah Hoti dhe Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku.
Për Haradinajn “Kosova me këtë kryeministër po hyn në një rrugë pa krye”, andaj edhe ka bërë thirrje edhe një herë për shkarkimin e tij.
Çitaku e ka përshkruar situatën si dramatike, duke thënë se Kosova është e përçarë përbrenda “dhe e sanksionuar nga aleatët”.
Ndërsa Hoti ka thënë se përkundër faktit që Qeveria e Kosovës ka qenë e njoftuar shumë më herët për këto masa, ajo nuk e ka njoftuar as Kuvendin e Kosovës.
Përse u dënua Kosova?
Aleksandër Vuçiq ka deklaruar edhe një herë se Serbia nuk do t’i vendosë sanksione Rusisë. Sipas presidentit të Serisë, kjo e fundit ia ka dalë për një vit e gjysmë t’iu shmanget këtyre vendimeve, të cilat, sipas tij, nuk kanë qenë në interesin e saj.
Për orvatjen e mëtejme të Serbisë për t’i ruajtur raportet me Rusinë, dëshmon edhe vizita e paralajmëruar e Ivica Daçiqit në Rusi.
Konfirmimin për vizitën e kryediplomatit serb – Daçiq, e ka bërë vetë homologu i tij rus Sergei Lavrov:
“Ne ramë dakord me Ivica Daçiqin, mikun tim të mirë të vjetër, që në këtë situatë ai të vinte në Rusi. Tani jemi dakord për data specifike.”
Pikërisht në këtë kontekst politik ku Serbia vijon kultivimin e raporteve të mira me Rusinë, ndërsa Kosova po provon ta godas krimin e organizuar në veri të saj, të sponsorizuar nga vendi fqinj, ndëshkohet kjo e fundit.
Vetëm në javët e fundit është raportuar për arrestimin e disa figurave të njohura, akterë të kaoseve të shkaktuara, përkatësisht “bosët” e organizatave që tashmë janë shpallur si kriminale nga Republika e Kosovës.
Dalibor Spasic; N. O, i njohur edhe si “Nemac” dhe “Rusi”; Milun Milenkoviq – i njohur si “Lune” etj, janë vetëm disa nga emrat që kanë dosje kriminale.
Ndonëse nuk është thënë krejt hapur, besohet se një ndër arsyet e këtij ndëshkimi të BE-së ndaj Kosovës, ndërlidhet edhe me orvatjen e kësaj të fundit për ta shtrirë sundimin e rendit dhe ligjit, në tërë territorin e saj.
Kongresisti Keith Self në një përballje me Zëvendës Asistentin e Sekretarit të Shtetit Douglas Jones, e theksoi pikërisht këtë fakt. Self insistoi në faktin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe BE, nuk mund të marrin anën e Serbisë, e ta ndëshkojnë Kosovën, e cila në një mënyrë, është në të drejtën e saj.
Megjithatë, përkundër këtyre fakteve, masat ndëshkuese mbesin aty, duke peshuar mbi qenien e Kosovës./FolDrejt/