Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se BE dhe Gjermania janë të angazhuara në një dialog konstruktiv për heqjen graduale të motorëve me djegie të brendshme në Bashkimin Evropian deri në vitin 2035.
Pas muajsh negociatash, votimi përfundimtar ishte planifikuar për javën e ardhshme, por u shty të premten pas kundërshtimit nga industria gjermane e makinave, përcjell Fol drejt.
“Teknologjitë e reja të automobilave duhet të balancohen me qëllimet tona të politikës klimatike”
Ministri gjerman i Transportit Volker Wissing tha se Berlini nuk mund të pajtohej me një ndalim total të motorëve me djegie të brendshme në këtë moment.
Ai shtoi se Komisioni Evropian duhet të paraqesë një propozim se si karburantet sintetike neutrale ndaj klimës, të njohura si e-karburantet, mund të përdoren në motorët me djegie të brendshme pas vitit 2035.
Von der Leyen tha se në parim kishte një hapje ndaj teknologjive të reja të automobilave, “por që duhet të balancohet edhe me qëllimet tona të politikës klimatike”.
Ministri gjerman i Transportit është i interesuar për karburantet sintetike
Wissing është anëtar i partisë FPD, pranë sektorit të biznesit, i cili është më i vogli nga tre partitë që përbëjnë koalicionin gjerman, së bashku me Social Demokratët dhe Partinë e Gjelbër.
Lëndët djegëse sintetike për të cilat është i interesuar Wissing prodhohen duke kombinuar hidrogjenin me dioksidin e karbonit që mund të merret nga atmosfera. Lëndët djegëse të tilla konsiderohen neutrale ndaj klimës nëse energjia për prodhimin e tyre dhe përbërësit e tyre mund të merret nga burime të rinovueshme.
Kritikët besojnë se karburantet sintetike duhet të përdoren vetëm për udhëtime të pashmangshme ajrore dhe detare, ndërsa përdorimi i tyre në një numër të madh automjetesh do të ishte thjesht një humbje e energjisë së gjelbër.
Lufta e BE-së kundër ndryshimeve klimatike
Planet për të ulur emetimet e CO2 të dëmshme për klimën nga furgonat dhe makinat e reja me 100 për qind deri në vitin 2035, që do të thotë një ndalim de facto i shitjeve, janë pjesë e një pakete më të madhe për të trajtuar ndryshimet klimatike.
BE-ja dëshiron të reduktojë emetimet e gazeve serrë me të paktën 55 për qind deri në vitin 2030 krahasuar me nivelet e viteve 1990 dhe të arrijë neutralitetin klimatik deri në vitin 2050./FolDrejt/