The Guardian shkruan se ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian (BE), kanë rënë dakord të përgatisin paketën e re të sanksioneve ndaj Rusisë dhe të rrisin dërgesat e armëve në Kiev, transmeton Fol Drejt.
Sipas artikullit, 27 ministrat e jashtëm të bllokut ndodhen në Nju Jork për mbledhjen vjetore të liderëve botërorë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Josep Borrell, shef i politikës së jashtme të BE-së tha se njoftimi i Vladimir Putin për mobilizim të pjesshëm, tregonte panik dhe dëshpërim.
“Është e qartë se Putini po përpiqet të shkatërrojë Ukrainën,” u tha Borrell gazetarëve pasi ministrat u takuan për të vendosur se si të përgjigjen.
Pasi u informuan nga ministri i jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, ministrat ranë dakord të ngarkojnë ekipet e tyre për të përgatitur një paketë të tetë sanksionesh që do të synonte “sektorë më të rëndësishëm të ekonomisë ruse dhe do të vazhdonte të synonte njerëzit përgjegjës për luftën e agresionit në Ukrainë”, tha Borrell.
Ministrat ranë dakord gjithashtu të rrisin furnizimet me armë në Ukrainë./FolDrejt/