Komisioni Evropian tha se pret që, në tremujorin e dytë të këtij viti, të sigurojë mbi 200 milionë doza të vaksinës kundër koronavirusit nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech.
Pfizer e konfirmoi deklaratën e BE-së, në lidhje me furnizimet në tremujorin e dytë.
“Ky është një lajm shumë i mirë. Ai u jep vendeve anëtare hapësirë për të manovruar dhe ndoshta për t’i mbushur boshllëqet me furnizime”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Blloku synon të vaksinojë së paku 255 milionë njerëz, ose 70% të popullsisë të rritur, deri në fund të verës.
Javën e kaluar, edhe kompania britanike-suedeze AstraZeneca ka thënë se synon t’i dorëzojë BE-së 70 milionë vaksina të saj, në tremujorin e dytë.