Bashkimi Evropian ua ka tërhequr vërejtjen liderëve politik dhe fetar në Serbi, se janë të papranueshme përpjekjet për të rishkruar historinë.
“Qëndrimi ynë është i qartë. Nuk ka vend në Evropë për mohimin e gjenocidit, revizionizmin dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës, që bien ndesh me vlerat më themelore evropiane”, ka porositur Ana Pisonero, zëdhënëse e BE-së në një prononcim me shkrim.
Ky reagim vjen pasi që një dioqezë e Kishës Ortodokse Serbe, me seli në Çikago të SHBA-së, ka dekoruar të dënuarin për krime lufte nga ana e Tribunalit të Hagës, Vojisllav Sheshelin.
Sipas Ana Pisoneros udhëheqësit fetarë dhe komunitetet fetare, kanë gjithashtu përgjegjësi për të treguar lidership në kapërcimin e trashëgimisë së vështirë të së kaluarës dhe për të nxitur në mënyrë konstruktive besimin reciprok, dialogun dhe tolerancën, që është esenciale për stabilitetin, të ardhmen paqësore dhe prosperitetin.