BE-ja ka njoftuar se zgjedhjet e djeshme lokale në veri të Kosovës janë mbajtur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës dhe se janë bërë përpjekje që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe të rregullt, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Në njoftim thuhet se në të njëjtën kohë, BE-ja shpreh keqardhjen që jo të gjitha partitë dhe komunitetet ushtruan të drejtën e tyre për të marrë pjesë dhe votuar në zgjedhje.
“Pjesëmarrja shumë e ulët, veçanërisht në mesin e qytetarëve serbë të Kosovës, tregon se ky proces nuk është dhe nuk mund të konsiderohet si zakonisht”, thuhet në deklaratë.
Ai shtoi se “pjesëmarrja në proceset zgjedhore synon të sigurojë që zërat e komuniteteve që liderët e zgjedhur përfaqësojnë dëgjohen.”
“Që kur serbët e Kosovës u larguan nga institucionet e Kosovës në veri të Kosovës në nëntor të vitit 2022, BE-ja ka qenë vazhdimisht duke u angazhuar me të dyja palët për të lehtësuar kthimin e tyre”, thuhet në deklaratë.
Gjithashtu, BE vlerëson se “këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna”.
“Kjo mund të ndodhë vetëm përmes kthimit të përhershëm të serbëve të Kosovës në institucione dhe që Kosova ta lehtësojë atë kthim. Puna për formimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe duhet të përfundojë sa më shpejt”, thotë BE.
Ai thekson se “është e domosdoshme që urgjentisht të rivendosim situatën në të cilën serbët e Kosovës marrin pjesë aktive në administratën lokale, policinë dhe gjyqësorin në veri të Kosovës”.
“Për këtë qëllim ka nevojë urgjente për një dialog serioz ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe serbëve të Kosovës në veri”. Pak progres është bërë deri më tani. Prandaj, ne kemi nevojë që të dyja palët të luajnë rolin e tyre dhe të përmbushin detyrimet e tyre”, thekson BE.
Shtohet se marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është platforma e duhur për arritjen e këtij qëllimi.
BE-ja mirëpret profesionalizmin e Policisë së Kosovës, Misionit të saj për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe KFOR-it në ofrimin e një ambienti të sigurt për zgjedhjet”, thuhet në deklaratën e BE-së, transmeton Fol Drejt.